“Luftë për të qëndruar në Bundesligë, pa harruar Champions-in”

27/12/2014 00:00

Borussia Dortmund do të luftojë për të qëndruar në Bundesligë këtë sezon, por kjo luftë nuk do të ndikojë aspak në performancën e skuadrës në Champions League. Ky është mendimi i Hans-Joazhim Watzke, drejtori ekzekutiv i verdhezinjve.

Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp pozicionohet në vendin e 17 të renditjes pasi ka humbur 10 nga 17 ndeshjet e zhvilluara deri tani në Bundesligë. Nga ana tjetër, Borussia ka paraqitur një fytyrë ndryshe në Champions, ku kaloi në 1/8 si e para e grupit D dhe pret sfidën e dyfishtë me Juventusin.

“Duhet të përqendrohemi në Bundesligë, por nuk do të lëmë pas dore Champions-in. Do të ishte shumë më e lehtë nëse nuk do të merrnim pjesë në Champions, por nëse do eleminoheshim do të dëmtonim futbollin gjerman”, tha Watzke për ‘Bild’.

Borussia Dortmund është renditur në dy vendet e para të Bundesligës në 4 vitet e fundit dhe e ka fituar kampionatin në sezonet 2010-2011 dhe 2011-2012.

Top Channel