Vjedhja e energjisë, arrestohen banorët e një pallati në Krujë

27/12/2014 00:00

Qeveria vijon aksionin kombëtar për frenimin e abuzimeve me energjinë
elektrike dhe arrestimin e atyre që kryejnë lidhje të paligjshme.

11 kryefamiljarë të një pallati në qytetin e Krujës kanë përfunduar në pranga, pasi janë arrestuar në flagrancë duke rilidhur energjinë. Ata kishin akumuluar shuma të mëdha debie ndaj shtetit dhe gjatë një aksioni të OSHEE, inspektorët e operatorit u kishin ndërprerë energjinë deri në pagesën e faturave të pashlyera.

Por kryefamiljarët kanë rilidhur energjinë e shkëputur dhe gjatë një aksioni të dytë të OSHEE dhe policisë ata janë shoqëruar për në komisariatin e Krujës.

Dosjet e tyre kanë kaluar për shqyrtim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Krujës duke bërë që thuajse një pallat i tërë të dalë para gjyqit për vjedhje të energjisë. Për familjarët që kanë grumbulluar qindra mijë lekë debi nga mospagesa e energjisë, qeveria ka miratuar edhe një skemë e vlefshme deri në datën 28 shkurt sipas së cilës kjo shumë mund të shlyhet përmes kësteve, e shtrirë në kohë.

Sipas skemës, për këto familje do të aplikohet një këst mujor që do të negociohet nga shoqëria në vlerën e jo më pak se 2500 lekëve. Ndërsa për familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, kësti mujor është jo më pak se 1000 lekë. Konsumatorët që duan të shlyejnë menjëherë debinë,  përfitojnë falje të kamatvonesave në masën 80 %.

Top Channel