Përmbytja më e madhe në dekada, Malajzia nën ujë

27/12/2014 00:00

Përmbytjet më të mëdha prej dekadash të tëra kanë goditur lindjen e Malajzisë, ku mbi 100 mijë vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, kryeministri Najib Razak ndërpreu pushimet në Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer sa më parë në vendin e tij. Ai pritet të vizitojë Kelantanin, rajonin më të prekur nga vërshimi i ujërave.

Provincat lindore të Malajzisë përballen shpesh me përmbytje gjatë sezonit të musonëve, por këtë herë zyrtarët thonë se reshjet e shiut janë më të dendura dhe erërat shumë më të forta se zakonisht.

Skuadrat e shpëtimit po përpiqen të shpërndajnë ushqime dhe ndihma të tjera për familjet që janë zhvendosur në qendra pritjeje.

Situata e krijuar ka bërë që shumë banorë vendas të mendojnë se qeveria nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar përmbytjet vjetore, raporton korrespondenti i BBC në Kuala Lumpur.

Ndërsa një dëshmitar nga vendi i ngjarjes tha po për rrjetin informativ britanik se, fshati i tij në veri-lindje të vendit është mbuluar i tëri nga uji dhe në disa zona të tij nuk ka as energji elektrike.

“Duke qenë se nuk ka energji elektrike, aty nuk ka asj ujë. Dyqanet janë mbyllur të gjitha dhe nuk dimë se edhe për sa kohë do të kemi ushqim. Për këtë arsye vendosa të largohem që këtej për në Kuala Lumpur”, deklaroi Darius Dramburg.

Top Channel