Marrëveshja, Kievi pret lirimin e pengjeve të mbetura

27/12/2014 00:00

Një ditë pasi palët ranë dakord për shkëmbim të burgosurish, në Ukrainë pritet zbatimi i marrëveshjes. Nga ana e Kievit pretendohet lirimi i katër ushtarëve.

Ndërkohë, nuk dihet me saktësi sesa do të jenë rebelët që do të lihen të lirë në bazë të paktit të arritur me shumë vështirësi.

Të premten, autoritetet ukrainase njoftuan se në total 146 ushtarë janë lënë të lirë në këmbim të 222 separatistëve.

Kievi zyrtar ka mbyllur ndërkohë të gjitha linjat hekurudhore e ato të autobusëve me Krimenë, të cilën nuk e lidh asnjë korridor tokësor me Rusinë, ndaj tani lëvizjet për në gadishull varen vetëm nga tragetet në detin Azov dhe fluturimet.

Ndërsa në një tjetër zhvillim, dy nga kompanitë më të mëdha në botë të kartave të debitit dhe kreditit, Visa dhe Mastercard njoftuan të premten se nuk do të mbështesin më kartat bankare të përdorura në Krime, pas sanksioneve më të fundit të vendosura nga SHBA këtë muaj.

Lëvizja e fundit erdhi pikërisht në momentin më tradicional të festave të fundvitit, në një rajon ku popullsia lëviz së tepërmi për t’u bashkuar me familjet për Vitin e Ri.

Top Channel