Kosovë, 30 ditë paraburgim serbit me eksploziv

27/12/2014 00:00

Shtetasi serb Slobodan Gavriç e mohoi akuzën e prokurorisë kosovare për përgatitje të sulmit terrorist në Kosovë. Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, Gavriç tha se qëllimi i tij ishte transportimi i sasisë e eksplozivit në Shqipëri.

Kështu thotë një burim zyrtar brenda gjykatës në kushte anonimiteti, edhe pse ka dyshime se i dyshuari po gënjen pasi besohet se Gavriç nuk ka pasur arsye të kalojë nëpër Kosovë.

Gjykata Themelore caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për serbin e dyshuar. Sipas kryetarit të gjykatës, Gavriç ngarkohet me dy vepra penale: njëra që ka të bëjë me përgatitjen e veprave terroriste; tjetra për vënie në qarkullim të lëndëve eksplozive.

“Sot kemi caktuar paraburgimin e shtetasit Slobodan Garviç për dyshimin e veprës penale të sulmeve terroriste dhe trafikim të lëndëve eksplozive. I pandehuri ka pranuar veprën penale në pikën dy, që i referohet vënies në qarkullim të materies eksplozive, ndërsa të parën nuk e ka pranuar. Ai ka thënë se kishte për t’i shitur lëndët, por pa saktësuar se ku”, deklaroi Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në këtë fazë të proçedurës, gjykata nuk mund të pohojë e as të mohojë asnjërën nga informacionet lidhur me obkjektivin e sulmit. Nuk bëhet e ditur as nëse i dyshuari është apo jo pjesë e ndonjë grupi terrorist. “Aktualisht ne nuk mund të bëjmë supozime, ndaj as mund të konfirmojmë e as të hedhim poshtë asnjë prej tyre”, saktësoi Ibrahimi.

Shtetasi i Serbisë, Slobodan Gavriç u arrestua mbrëmjen e së enjtes në lagjen Arbëria të Prishtinës me 12 kilogramë eksploziv në makinën e tij.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ai mund të dënohet deri në 20 vjet burg nëse vërtetohet vepra për përgatitje të sulmit terrorist sepse edhe kur vepra është në tentativë dënimi është i njëjtë. Ndërsa dënimi maksimal për veprën penale “transportim i lëndëve eksplozive” është 10 vjet.

Top Channel