Dëmshpërblimet, Rama takon ish-të dënuarit politikë

27/12/2014 00:00

Në Sallën e Hartave në Kryeministri është organizuar pasditen e së shtunës një pritje me përfaqësues të veteranëve dhe ish-të burgosurve politikë.

Kryeministri Rama deklaroi në fjalën e tij se, pavarësisht se e gjeti shtetin në vështirësi financiare, qeveria e mbajti premtimin për dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve. Rama u angazhua se deri në përfundim të mandatit do të shlyejë të gjitha detyrimet financiare.

“Para sesa të mendojmë për të shpërblyer pasardhësit, duhet të shpërblejmë gjithë ata që janë ende gjallë dhe kanë gjurmën e torturave të ferrit në shpirtin e tyre.

Dhe ajo çka ne jemi zotuar sot është në rrugën e realizimit, duke bërë që deri në fund të vitit të ardhshëm ne të kemi shlyer të gjithë të përndjekurit në moshën 70 vjeç dhe deri në fund të mandatit të gjithë ata që burgun e kanë bërë vetë dhe janë ende sot mes nesh.

Në 4 muajt e parë të qeverisjes ne kemi dorëzuar paratë për 1 mijë të përndjekur që nuk kishin marrë kurrë asnjë qindarkë nga qeveria në 24 vjet.

Gjatë këtij viti janë 1.639 të përndjekur që kanë marrë këstin e tretë, ndërkohë që në ditët e fundit të tij vijojnë pagesat për 700 të tjerë që janë gjallë e për të vijuar me këstin e katërt edhe për ata”, deklaroi Rama.

Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Top Channel