Incidenti ajror i presidentit Trajkovski, raporti hetimor: Gabuan pilotët

27/12/2014 00:00

Fatkeqësia ajrore ku humbi jetën ish-presidenti maqedonas Boris Trajkovski u shkaktua nga gabimet e pilotëve. Kështu thuhet në raportin e ekipit ndërkombëtar që hetoi shkaqet për rrëzimin e avionit presidencial dhjetë vite më parë, në afërsi të Mostarit në Bosnje Hercegovinë.

Hetuesi boshnjak Omer Kuliç, që kryesoi hetimin, ka evidentuar edhe gabime të tjera para dhe gjatë fluturimit. Ai ka deklaruar se leja e fluturimit ishte dhënë pa dokumentacionin e nevojshëm dhe se avioni nuk ishte mirëmbajtur si duhet.

“Arsyet kryesore për rrëzimin e avionit janë shtatë gabimet e pilotëve gjatë fluturimit. E para, ata nuk duhet te fluturonin nga Shkupi drejt Mostarit atë mëngjes sepse nuk kishin pasur informacion për motin në Mostar, i cili ka qenë tepër i keq. Ju kujtoj se presidenti i Serbisë dhe ai i Kroacisë nuk kanë marrë pjesë në atë samit për shkak të motit të keq në atë qytet”, ka deklaruar Kuliç.

Në raportin që u prezantua të shtunën në Shkup nga hetuesi boshnjak, thuhet se autoritetet boshnjake nuk kanë mundur ta ndjekin avionin e presidentit të ndjerë nga toka pasi në aeroportin ku ai duhet të ulej mungonte radari.

Po ashtu, në raport evidentohet se, kutia e zezë dhe mjeti për lokalizimin e avionit të rrëzuar kanë qenë jofunksionale.

Ish-presidenti maqedonas Boris Trajkovski humbi jetën bashkë me tetë shoqëruesit e tij në muajin shkurt të vitit 2004, teksa po udhëtonin për në Konferencën Ndërkombëtare për Investime që mbahej në B e H.

Top Channel