Nju Jork, funeral madhështor për policin e vrarë

27/12/2014 00:00

Disa dhjetëra mijëra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të agjentit të policisë së Nju Jorkut, Rafael Ramos, një nga dy policët që u ekzekutuan një javë më parë.

Zv.presidenti amerikan Joe Biden vlerësoi “departamentin e policisë më të mirë në botë” në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë forca policore nga mbarë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Turma të mëdha policësh parakaluan për në varrezat e Nju Jorkut, të shoqëruar edhe me një grup helikopterësh që fluturuan në shenjë respekti për viktimën.

Agjenti Ramos dhe kolegu i tij Wenjian Liu u qëlluan për vdekje me armë zjarri pas javësh të tëra protestash ndaj vrasjes së të rinjve me ngjyrë nga policia.

Agjentët e policisë të pranishëm në këtë funeral shpërfillën sërish kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, që ishte shfaqur për të mbështetur disa nga protestuesit.

Ndërkohë, detajet e ceremonisë mortore të oficerit Liu nuk janë publikuar ende. Autoritetet deklarojnë se ai do të mbahet kur të afërmit e tij të mbërrijnë nga Kina.

Duke e cilësuar oficerin Ramos një “hero”, komisioneri i policisë njujorkeze, Bill Bratton njoftoi se i kishte graduar të dy agjentët në detektivë të klasit të parë, pas vdekjes.

Edhe guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo bëri homazhet e tij për të ndjerin, si dhe i shprehu ngushëllimet e tij gjithë departamentit të policisë për këtë humbje.

Top Channel