Ali Agça vendos lule në varrin e Papa Gjon Palit

27/12/2014 00:00

Atentatori turk që në vitin 1981 plagosi Papa Gjon Palin II, ka vendosur këtë të shtunë (27/12/2014) një buqetë me lule në varrin e atit të ndjerë, në selinë e Vatikanit.

Mehmet Ali Agça i tha policisë se ndjente nevojën për ta bërë një akt të tillë. Ky veprim vjen kur janë bërë plot 31 vjet që nga dita kur Papa e vizitoi Agça në burg dhe e fali atë për atentatin.

Agça kreu 19 vjet burg në një burg të Italisë për faktin se qëlloi Papën dy herë në distancë të afërt. Motivet e këtij atentati mbeten mister ende sot e kësaj dite.

Më pas, atentatori, dikur anëtar i fraksionit turk Ujqit Gri, bëri edhe 10 vjet të tjera në një burg të Turqisë, nën akuzën e vrasjes së një gazetari.

Sot, 56-vjeçari vendosi trëndafila të bardhë në varrin e Papës, në vizitën e tij të parë në Vatikan që nga atentati i 13 majit 1981.

Papa mbeti i plagosur rëndë nga një plumb që i depërtoi në bark dhe një tjetër që për pak i preku zemrën.

Ndërkohë, zyrtarët e Vatikanit i kanë refuzuar për të dytën herë turkut Agça kërkesën për një takim kokë më kokë me Papa Françeskun.

“Ai vuri lule në varrin e Gjon Palit II. Mendoj se kjo mjafton”, ka thënë për mediat italiane zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, at Federico Lombardi.

Top Channel