Vetëvritet një person në burg, ishte arrestuar për vjedhje të energjisë

28/12/2014 00:00

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës u vetëvar me shallin e tij në qelinë e burgut të Rrogozhines Qamil Zela, 52 vjeç nga Lushnja, i arrestuar më parë për vjedhje të energjisë elektrike.

Punonjësit e burgut kanë ndërhyrë menjëherë duke e dërguar në spital, por Zela nuk ka mundur dot të jetojë. Në një sqarim të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se Zela, që kur është dërguar në këtë institucion, ka shfaqur shqetësime depresive, ndaj nga personeli mjekësor i burgut është trajtuar me medikamente mjekësore.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ndërsa ka ngushëlluar familjen, është shprehur përmes deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë se ngjarje të tilla të rënda nuk duhet të përdoren nga klasa politike për kredo personale.

Por, në një reagim në faqen e tij në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi se “nuk mjaftojnë ngushëllimet për familjen e varfër nga Lushnja, që humbi të afërmin e saj për një debi të vogël që kishin për dritat. Kryefamiljari që i dha fund jetës në qeli, ka lenë një akuzë të gjallë e tronditëse, akuzë me të cilën duhet të merremi të gjithë si shoqëri”.

Basha shkruan se “përpara se të kryente aktin ekstrem, ai ka drejtuar gishtin drejt Edi Ramës dhe padrejtësisë që ai ka krijuar në vend. Vetëm një padrejtësi e tillë, ku dikush ka mbi 30 milionë lekë drita të papaguara e bëhet drejtor, ku dikush ka miliona të papaguara e vazhdon të mos paguajë dhe caktohet shef i energjisë në Tropojë apo Lushnjë, një padrejtësi e tillë e bën një burrë që gjendet në burg për 30 mijë lekë të vjetra të vetëflijohet”.

Kreu i PD-së akuzon kryeministrin e vendit duke shkruar: “Padrejtësia që ka mbjellë në shoqëri Edi Rama i mori atij jetën. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë tragjedi të luhet çdo ditë në mes të qytetarëve tanë. Do të ngrihemi e do ta ndalojmë me çdo mjet. E kemi për detyrë për jetët e humbura nga padrejtësia, për qindra-mijëra bashkëqytetarët tanë që po vuajnë eksperimentin çnjerëzor të Edi Ramës, që nuk po kursen askënd”.

Basha e mbyll postimin me fjalët: “Thirrja për të ndalur të keqen, më e fortë se kurrë”.

Nga ana e saj, në një njoftim për mediat, OSHEE-ja “hedh poshtë me përbuzje abuzimin monstruoz të disa politikanëve që duan të nxjerrin përfitime vetjake dhe partiake nga kjo ngjarje e rëndë”. Në deklaratë thuhet se është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e këtij abuzimi të turpshëm duke gënjyer haptaz opinionin përmes një shpifjeje të madhe.

Sipas Operatorit të Shpërndarjes, 52-vjeçari Zela nuk u ndalua për debi, por për vjedhje të energjisë elektrike. Sipas burimeve të OSHEE-së, personi është kapur për rilidhje të paligjshme të energjisë për dy biznese, një fast fud dhe një lojëra fati në katin e parë të ndërtesës dykatëshe ku banonte.

“Jo vetëm që individi në fjalë nuk është ndaluar për një debi 35 mijë lekë të vjetra, por nuk ka asnjë rast ku konsumatorët e energjisë të ndalohen dhe procedohen penalisht për borxhet ndaj Operatorit të Shpërndarjes”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, sqarohet se “çdo ndalim dhe heqje lirie me burg e konsumatorëve të energjisë elektrike lidhet vetëm me veprën penale të vjedhjes së energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme”.

OSHEE-ja e mbyll deklaratën me një thirrje ndaj PD-së, duke theksuar në njoftim se PD-ja nuk duhet të bëhet mburojë e vjedhësve të energjisë dhe të mos pengojë me propagandë anti-ligjore dhe shpifje të vazhdueshme përpjekjen për nxjerrjen e sistemit të furnizimit me energji nga agonia ku u fut kjo kompani për shkak të një politike dritëshkurtër e antikombëtare.

Top Channel