Reshjet e borës mbulojnë vendin. Bllokohet lëvizja në aksin Librazhd-Qafë Thanë

28/12/2014 00:00

Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve prej disa orësh. Më problematik paraqitet aksi nacional Përrenjas-Librazhd.

Qindra mjete kanë mbetur të bllokuara në këtë rrugë për shkak të borës që bie me intensitet dhe mjegullës së dendur. Situata paraqitet emergjente edhe për shkak të temperaturave të ulëta dhe errësirës. Shtabi i Emergjencave Civile, thotë se e ka të pamundur ndërhyrjen e borëpastrueses për zhbllokimin e rrugës pasi disa mjete që kanë rrëshqitur e bëjnë të pamundur kalimin.

Policia sqaron më tej se mjetet e papajisura me zinxhirë dhe me goma të posaçme për mot të keq kanë rrëshqitur, duke bllokuar në këtë mënyrë rrugën për një kohë të gjatë.

Në orët e vona të mbrëmjes, drejt këtij aksi janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët i kanë ardhur në ndihmë pasagjerëve, numri i të cilëve nga të dyja krahët është i lartë.

I bllokuar është aksi nga Librazhdi deri te ura e Bushtricës, pranë fshatit Dragostunjë. Policia këshillon të gjithë drejtuesit e mjeteve të evitojnë sa të jetë e mundur udhëtimin në këtë zonë deri në stabilizimin e situatës.

Në Dibër gjithashtu raportohet për dhjetëra komuna të izoluara dhe pa energji. Trashësia e dëborës deri në mesdite ka shkuar nga 30 centimetra deri ne 50 centimetra në komunat, Lure, Kala e Dodës, Luzni, Sllove dhe Selishtë në rrethin e Dibrës, Trebisht, Osren, Zerqan dhe Krastë në rrethin e Bulqizës dhe Xibër, Derjan e Macukull në rrethin e Matit.

Si pasojë e këtyre reshjeve, rrugët që i lidhin këto komuna me qendrat e rretheve, janë bërë të pakalueshme nga automjetet.

Ndërkohë edhe rrugët nacionale Peshkopi-Kukës, Bulqizë-Krastë dhe Ura e Cerenecit-Klenjë-Librazhd që nga mesdita e ditës së sotme rezultojnë të bllokuara.  Vetëm rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë, ka funksionuar për lëvizjen e automjeteve me zinxhir.

Segmentet më problematike të këtij aksi nacional rrugor mbeten Qafa e Qenokut, Gurët e Skënderbeut dhe Qafa e Buallit. Edhe në qytetet e Bulqizës dhe Peshkopisë janë mbuluar nga akulli.

Top Channel