Samaras shton dozat e rreptësisë: Zgjedhjet e parakohshme, katastrofike për Greqinë

28/12/2014 00:00

Pas dy votimeve të dështuara për zgjedhjen e Presidentit grek nga Parlamenti, disa orë para raundit final në mesditën e së hënës, kryeministri Antonis Samaras, në një intervistë dhënë kanalit shtetëror, u ka bërë përsëri thirrje deputetëve, duke çuar mesazhin e rreptë se nëse dështon edhe ky votim, vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, që do të ishin – sipas tij – katastrofike për Greqinë.

“Ju bëj përsëri thirrje ligjvënësve të të gjitha partive të votojnë për Presidentin, të largojnë njëherë e përgjithmonë pasigurinë dhe retë, që mblidhen në mënyrë kërcënuese mbi vendin. Nëse ne zgjedhim një President, do ta kemi çuar vendin larg krizës”, ka thënë Antonis Samaras, kryeministër i Greqisë.

Samaras, që ka përsëritur ftesën për bashkëpunim të forcave politike, ka akuzuar radikalët e majtë të “Syriza”-s se plani i tyre kundër paketës së shpëtimit është një shantazh politik, i cili do të destabilizonte Greqinë dhe do ta vinte atë në një kurs përplasjeje me huadhënësit e saj.

Komenti i Samaras ka ardhur në të njëjtën ditë me deklaratën e ministrit gjerman të Financave, Ëolfgang Schauble, i cili ka paralajmëruar se çdo qeveri greke, që do të vijë pas zgjedhjeve, nëse ato do të zhvillohen, do të duhet të respektojë angazhimet e marra të Athinës.

“Populli grek nuk do zgjedhje të parakohshme, do që të zgjidhet Presidenti nga ky Parlament. Unë kam bërë dhe vazhdoj të bëj gjithçka për këtë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme, sepse kjo është në interesin kombëtar”, është shprehur më tej Antonis Samaras.

Sondazhet e fundit tregojnë se koalicioni qeverisës, edhe pse e ka ngushtuar diferencën, ndodhet nga 2.5 deri në 3.3 pikë larg opozitarëve të “Syriza”-s, që kërkojnë të rinegociojnë paketën e ndihmës, duke anuluar shumë prej masave shtrënguese për popullin.

Lideri i tyre, Aleksis Tsipras, menjëherë pas intervistës së kryeministrit, e ka akuzuar atë se me mënyra aventureske kërkon të frikësojë grekët, me skenarë tashmë të pabaza.

Nga ana tjetër, hallkë e dobët për kryeministrin Samaras po tregohen aleatët e qeverisë, socialistët e PASOK-ut, që po ndeshen me tensione të medha të brendshme dhe mund të shkojnë drejt ndarjes, pasi ish-kryeministri Papandreu thuhet se është gati të krijojë një parti të re, duke penguar kështu formimin e një shumice të qëndrueshme të koalicionit.

Top Channel