PD: Rama po burgos të pafajshëm

28/12/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar një sërë ngjarjesh të rënda, të shkaktuara sipas saj nga trysnia dhe shteti policor i qeverisë.

Mes kryefamiljarëve të arrestuar një ditë më parë në Fushë-Krujë ka të sëmurë dhe persona që nuk jane asnjë ditë debitorë ndaj OSHEE-së, tha Gent Strazimiri, i cili shtoi se edhe i burgosuri i Rrogozhinës që i dha fund jetës ishte burgosur për 35 mijë lekë të vjetra debi ndaj kompanisë.

“Qeveria e “ligjit të hekurt” dhe “puritanizmit ligjor”, ka vendosur që në Gjirokastër, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, në pozicionin e drejtorit, e zbaton më mirë se kushdo tjetër  Koço Thimjo, debitor ndaj OSSH-së me mbi 38 milione lekë, borxh i akumuluar që nga viti 2009 në mënyrë konsistente dhe të përsëritur sistematikisht. I kërkojmë qeverisë të mbajë premtimet e qershorit 2013. I kërkojmë të mbajë dorën vrastare që mban në burg qytetarët e dëshpëruar e që kriminelët e burgjeve i bën drejtorë, pushtetarë lokalë e deri deputetë. I nderuar qytetar, “litari në qafë” nuk është zgjidhje, nuk është shpëtim! Ka një rrugë tjetër që shpëton vendin dhe ty njëkohësisht! “Litarin” që mban në ato duar me kallo që kurrë nuk mjaftuan për të mbajtur fëmijët me bukë, vare në qafën e qeverisë së mashtrimit”, tha deputeti demokrat.

Top Channel