Vetëvrasja në burg, Ristani akuzon qeverinë. Naço: Keqardhje për opozitën

28/12/2014 00:00

Opozita nuk është mjaftuar me reagimin e kryetarit, Lulzim Basha, por tre deputetë të saj ishin pranë burgut të Rrogozhinës ku mëngjesit e kësaj të diele,  52 vjeçari Qamil Zeka i dha fund jetës, duke u vetëvarur.

Ata kanë kërkuar të hyjnë brenda ambienteve dhe të takohen me drejtorin e këtij burgu, i cili gjatë mbërritjes së deputetëve demokratë ka qenë në një mbledhje.

Deputetet e Partisë Demokratike kanë hyrë brenda burgut, ku pas daljes nga inspektimi përveç akuzës se ishte qeveria që e çoi këtë të paraburgosur në vetëflijim, denoncuan edhe kushtet e rënda dhe tejmbushjen sipas tyre te këtij burgu.

“Kushtet janë skandaloze. Njerëz që nuk kanë lidhje me krimin, por për shkak të kushteve specifike të cilët ka kaluar Shqipëria mund të kenë lidhur energjinë në mënyrë të paligjshme. Ne jemi shprehur që jemi kundër abuzimeve me energjinë, por politika penale e qeverisë nuk duhet të jetë e tillë”, ka deklaruar Ristani.

Por ministri Nasip Naço që ishte gjithashtu i pranishëm në ambientet e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, shprehu keqardhjen që opozita po bën politikë me vdekjen.

“Më vjen keq për këta deputetë që janë edhe të rinj në moshë që duan të përfitojnë në çdo rast me fatkeqësitë e të tjerëve. Ky është një rast që po analizohet nga strukturat përkatëse. Nga informacionet që unë kam i është dhënë ndihma e nevojshme nga personeli i këtij institucioni”, ka thënë Nasip Naco.

Ministri Drejtësisë deklaroi se opozita po spekulon me gjithçka, që nga kushtet e burgut deri në numrin e të paraburgosurve. Nasip Naço u shpreh i vendosur në zbatimin e ligjit njësoj për të gjithë, dhe në zbatimin e detyrimit ligjor për pagimin e energjisë elektrike.

Top Channel