Ministrja Kodheli: Udhëtarët shqiptarë janë jashtë rrezikut

28/12/2014 00:00

Gjashtë nga shqiptarët e ndodhur në tragetin “Norman Atlantic” janë shpëtuar. Këtë gjë e konfirmon Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

“Në listën e pasagjerëve të mbijetuar dhe që tashmë ndodhen në bordin e anijes “ABY JEANNETTE” ndodhen edhe Refik, Sheraf dhe Donika Aliko, Jonel Lamçaj dhe Festim e Hasie Cuçi. Ministria e Jashtme do të informojë për të rejat më të fundit si dhe destinacionin e anijes malteze “ABY JEANNETTE” dhe të shtetasve tanë”, thuhet në njoftimin e saj.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga Komanda e Forcave Detare në Durrës,  konfirmoi se të gjithë udhëtarët shqiptarë që ndodheshin në bordin e tragetit janë jashtë rrezikut: “Mund të themi që janë akoma në gjendje të mirë dhe kjo na mbush me optimizëm. Është e pamundur që të kontaktohet me ta për shkak të mungesës së valëve.”
 
Edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi se spitali i Durrësit dhe ai i Traumës në Tiranë janë në gadishmëri të plotë për të pritur udhëtarët që do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore. Ministri tha se spitali i Durrësit ka kapacitetet e duhura si në numër shtretërish, ashtu edhe në personel mjekësor për të përballuar çdo lloj fluksi, nëse trageti do të akostohej në portin e Durrësit.

Top Channel