Gjendja e rrugëve, kërkohen zinxhirë në Qafë-Thanë dhe Korçë

29/12/2014 00:00

Autoriteti i Rrugëve i kërkon të gjithë drejtuesve të mjeteve që lëvizin në akset rrugore ku ka patur reshje dëbore dhe ngrica që të pajisen me zinxhirë dhe me goma për dimër.

Këto mjete janë të nevojshme në akset Shkodër-Pukë, Shkodër-Theth dhe veçanërisht në Qafë-Thanë që mbetet ende shumë problem për shkak të dëborës dhe akullit në rrugë.

Në njoftimin e dhënë nga Autoriteti Shtetëror i Rrugëve, kërkohet që drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit për sigurinë e tyre dhe sigurinë e qytetarëve të tjerë sepse gjatë kësaj fundjave kaosi i shktaktuar nga automjetet ka sjellë situata problematike, radhë me orë të gjata dhe moslejimin e hyrjes së borëpastrueseve në akset e bllokuara.

Kjo ndodhi dje në aksin Librazhd-Prrenjas, ku për orë të tëra shumë mjete mbetën të bllokuara në rrugë në temperatura shumë të ulëta për shkak të bllokimit nga dëbora. Mjetet që hynin pa radhë për të kaluar penguan hyrjen e borëpastrueseve duke krijuar një zinxhir pengesash.

Sipas Drejtorisë së Rrugëve, gjendja vazhdon të jetë me probleme edhe në akset Komuna Dajt – Antena, Komuna Dajt – Bizë dhe Qafë Priskë – Shkallë – Shëngjergj, trashësia në rrugë ka arritur mbi 30 centimetra. Vazhdon puna për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e akseve.

Qarkullimi në këto akse bëhet me zinxhirë. Probleme për qarkullimin ka edhe në Steblevë, ku trashësia e borës është mbi 30 cm. Fadroma është duke punuar për pastrimin e aksit. Qarkullimi për momentin është i bllokuar.

Në aksin Vlorë-Palasë, në Qafën e Llogorasë, ka rënë 5 cm borë. Kalimi kryhet pa probleme. Vazhdon puna për kriposjen e aksit dhe borëpastruesja po punon për pastrimin e aksit. Në qarkun e Korçës të gjitha rrugët janë të kalueshme me zinxhirë. Në Dardhë, Qafë Qarri e Qafë Thanë trashësia e dëborës deri në 30 cm. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e akseve nga kontraktorët.

Në aksin Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Petrushë trashësia deri në 15 cm. Firmat po punojnë për pastrimin e dëborës. Vazhdon puna edhe për kriposjen e akseve.

Top Channel