Fier, Gjanica del nga shtrati, përmbytje në disa lagje të qytetit

29/12/2014 00:00

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan daljen nga shtrati të lumit Gjanica në Fier. Si pasojë, janë përmbytur dhjetëra banesa e lokale që ndodhen pranë shtratit të lumit, mes tyre edhe zyrat e Ujësjellësit.

Dalja e Gjanicës në orët e para të mëngjesit, sipas specialistëve erdhi si pasojë e bllokimit nga mbeturinat që kanë ngushtuar shtratin e lumit. Kështu, ujërat e lumit kanë dalë duke përmbytur zonat e ulëta që ndodhen përreth.

Vërshimi i ujit ka vazhduar për rreth dy orë dhe është ndalur në mëngjes. Banorët u lajmëruan nga Shtabi i Emergjencave Cilvile dhe u evakuuan, por dëmet materiale nga përmbytja e lokaleve dhe banesave përllogariten të shumta.

Shtabi i Emergjencave bën të ditur se situata është nën kontroll duke qënë se niveli i lumenjve Vjosë dhe Seman është në kuota normale.

Top Channel