Evakuohen 11 shqiptarë nga anija, 22 janë ende në tragetin që endet në det

29/12/2014 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme që po ndjek situatën hap pas hapi përmes komunikimeve nga konsullatat tona në Janinë dhe Bari bën me dije listën e shqiptarëve të evakuuar nga trageti “Norman Atlantic”.

Nga 33 shqiptarët në bordin e tragetit që mori flakë në orët e para të ditës së dielë, 8 janë evakuuar tashmë dhe ndodhen në bordin e anijes “Abi Xhanet”.

Mësohet se anija “Abi Xhanet” ndodhet ende në zonën e operacionit, në ndihmë të evakuuimit të pasagjerëve të tjerë.  Ndërkohë, 3 shtetas të tjerë shqiptarë janë evakuuar më herët dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Përkatësisht, Senada Kolekaj ndodhet në spitalin e Leçes jashtë rrezikut për jetën. Konsullata jonë në Bari njofton gjithashtu se edhe dy shqiptarë të tjerë, Albert Mane dhe Alban Skëndaj kanë mbërritur në portin e Barit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në total, pasagjerët shqiptarë që janë evakuuar tashmë janë 11, nga 33 që kanë qenë në bordin e tragetit të përfshirë nga flakët e një dite më parë.

22 ishin me shtetësi shqiptare dhe 11 të tjerë me dy nënshtetësi. Operacioni vijon dhe konsullatat tona në Bari dhe Janinë janë duke ndjekur hap pas hapi ecurinë e evakuuimit dhe do të informojnë për çdo shqiptar të evakuuar në kohë reale, mbyll njoftimin Ministria e Punëve të Jashtme.

Top Channel