Shkon në 10 numri i viktimave në traget. Mediat greke: 38 pasagjerë të humbur

29/12/2014 00:00

Bilanci i fatkeqësisë së tragetit të përfshirë nga flakët pranë brigjeve të Korfuzit ka shkuar në 10 persona të vdekur, ndërsa evakuimi i të gjithë personave në bord ka përfunduar, sipas mediave italiane.

Edhe kapiteni Argilio Giacomazzi,i cili ka pritur deri në largimin e pasagjerit të fundit, ka braktisur më pas tragetin me efektivët e marinës ushtarake italiane.

Por ndërkohë një lajm negativ ka ardhur nga mediat greke, të cilat flasin për 38 pasagjerë të tjerë të humbur e që sipas tyre nuk janë gjetur nga skuadrat e shpëtimit.

Shtetasi grek Jorgos Dulis ishte i pari që humbi jetën ndërsa tentonte të largohej nga anija, ndërsa trupat e tjerë janë gjetur në det. Sipas disa raportimeve, mund të ketë edhe të tjera viktima në hambaret e anijes, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Zjarri mësohet të ketë shpërthyer mëngjesin e së djelës në pjesën e tragetit, ku mbaheshin automjetet. “Norman Atlantic” udhëtonte nga Patra e Greqisë drejt Ankonës në Itali. Shumica e pasagjerëve ishin grekë dhe turq, por në mesin e tyre ka pasur edhe 33 shqiptarë, 11 nga të cilët me dyshtetësi.

Rreth 100 vetë u shpëtuan prej andej gjatë natës, në kushte tepër të vështira, thonë rojet bregdetare italiane. Ekipet e shpëtimit, që me shumë zor i kanë larguar pasagjerët me helikopterë në mes të errësirës dhe shkulmeve të erës, ishin të pajisura me aparate për të parë natën.

Piloti i Forcave Ajrore Italiane, Antonio Laneve tha për televizionin shtetëror se kabina e helikopterit të tij ishte mbushur me një tym djegës, çka e bënte edhe më sfidues operacionin e shpëtimit.

Bashkëshortja e njërit prej kuzhinierëve i ka thënë gazetarëve se kishte marrë një telefonatë nga i shoqi që i thoshte: “Nuk marr dot frymë, do të digjemi të gjithë si minjtë këtu brenda. Zoti na shpëtoftë!”.

Ndërkohë, një pasagjer ka komunikuar me televizionin grek Mega, të cilit i rrëfeu se janë jashtë dhe bën tmerrësisht ftohtë.

“Anija është e mbushur me tym dhe vazhdon të digjet, dyshemeja përvëlon, poshtë kabinave, zjarri kërcet që prej orës 5 të mëngjesit, erdhën disa barka të na marrin e u kthyen mbrapsht, nuk na ndihmuan dot”, tha ai.

Mësohet se shumica e pasagjerëve të nxjerrë prej tragetit janë transferuar në anije të tjera pranë tij, ndërsa ata në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar menjëherë në spital.

Në mesin e atyre që po trajtohen për hipotermi janë edhe tre fëmijë dhe një grua shtatëzënë. Anija e parë me 49 pasagjerë të shpëtuar mbërriti në portin e Barit mëngjesin e së hënës. Nuk dihet ende me siguri se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Carlo Visentini, shefi ekzekutiv i grupit Visentini që ka tragetin në zotërim, pretendon se kohët e fundit anija e kishte kaluar testimin teknik, pavarësisht një problemi të lehtë me njërën prej dyerve të emergjencës nga zjarri.

Prokuroria e Barit ka nisur një proces hetimor mbi ngjarjen, me dyshimet e para që sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për gabim njerëzor.

Ndërkohë, nuk dihet ende se ku do të përfundojë trageti, që pas dëmeve materiale dhe evakuimit ka mbetur në mes të detit. Mësohet se pala greke ka kërkuar që objekti të rimorkiohet në Pasha Liman.

Top Channel