Kodheli: Largohen nga trageti pasagjerët shqiptarë

29/12/2014 00:00

Shtetait shqiptarë që ndodheshin në bordin e tragetit “Norman
Atlantic” janë evakuuar. Lajmi konfirmohet edhe nga ministrja e
Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila në një deklaratë për shtyp ka deklaruar
se 5 persona kanë humbur jetën zyrtarisht.

Kodheli pranoi se pala shqiptare ka bashkëpunuar ngushtë me Italinë dhe Greqinë për të koordinuar operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të anijes që mori flakë.

“Fati i tragetit do të vendoset pas evakuimit, – tha Kodheli. – Operacioni do të vazhdojë deri sa pasagjeri i fundit të nxirret nga trageti. Gjatë natës u tentua të tërhiqej trageti nga tre rimorkiatorë italianë, por në disa raste ka dështuar. Deri tani regjistrohen 5 të vdekur, 1 shtetas grek dje, dhe 4 të tjerë sot”.

Kodheli theksoi se edhe anijet shqiptare kanë qenë pjesë e operacionit të shpëtimit në det: “Komandën e shpëtimit e drejtoi partneri ynë Italia, – vazhdoi Kodheli. – Edhe anija jonë luftarake “Butrinti” mori pjesë në operacion, ku qëndroi për 14 orë në det. Pasi është kthyer në bazën detare, është nisur anija tjetër shqiptare “Lisus” ku po ndihmon anijet e vende partnere”.

“Ka pasur një bashkëpunim mes tre vendeve, Itali, Greqi e Shqipëri, ku kryeministri Rama ka folur në telefon me homologun Samaras. Portet dhe spitalet tona kanë qenë në gatishmëri për avakuuimin e mundshëm të pasagjerëve”.

Top Channel