Rusia gati t’i heqë embargon Shqipërisë

29/12/2014 00:00

Rusia mund të heqë embargon tregtare ndaj Shqipërisë dhe të rihapë
tregjet e saj për eksportet e kompanive shqiptare. Lajmi bëhet nga
Autoriteti Fitosanitar i Rusisë dhe konfirmohet edhe nga Ministria
Shqiptare e Bujqësisë.

Vendimi vjen pas, një sërë takimesh të nivelit të lartë që janë zhvilluar mes zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Rus.

Qeveria ruse i bllokoi eksportet nga Shqipëria rreth 3 javë më parë pas, zbulimit të disa rasteve mashtrimi me certifikatat e origjinës, kur produkte nga vende të tjera eksportoheshin si shqiptare.

Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se qeveria ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar më falsifikimin e certifikatave të origjinës dhe duket se kjo ka bindur edhe palën ruse.

Madje nga 1 janari, Shqipëria do të përdor një model të ri certifikatave të origjinës me më shumë elementë sigurie, ndërkohë që paralelisht autoritetet shqiptare kanë dërguar në rusi informacion të plotë mbi kapacitetin prodhues të fermave shqiptare. Sipas njoftimit, Shqipëria synon që pas heqjes së bllokadës tregtare të eksportojë veç fruta perimeve edhe produktet e mishit drejt tregjeve ruse.  

Edhe pse shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Rusisë janë në nivele të papërfillshme, pas embargos që Kremlini vendosi ndaj vendeve të be eksportet bujqësore janë rritur me ritme të shpejta. Bllokimi në fillim të këtij muaji, dëmtoi jo pak eksportuesit e këtyre produkteve, pasi veçanërisht në dy muajt e fundit, Rusia ishte shndërruar në një nga destinacionet kryesore të frutave dhe perimeve që Shqipëria shet jashtë.

Top Channel