Regjistrimi i fëmijëve të ushtarëve të UCK, ministri i Arsimit: Qeveria nuk ndërhyn

29/12/2014 00:00

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami ka vlerësuar si të ndërlikuar dhe të
ndjeshme situatën përsa i përket regjistrimit të kandidatëve nga
familjet e kategorive të dala nga lufta në Universitetin e Prishtinës
“Hasan Prishtina”.

Të hënën gjatë mbledhjes së qeverisë, ministri Bajrami bëri të ditur se do të takohej me përfaqësues të Shoqatave të Luftës së UCK-së dhe me udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës.Bajrami pranon se kjo është në dorën e Universitetit, por këshillon të gjendet një zgjidhje sa më shpejt.

“Do t’ua bëjë të qartë që palët nuk duhet të kenë pritje se Ministria e Arsimit dhe Qeveria mund ta zgjidhë këtë çështje. Universiteti i Prishtinës dhe Shoqatat e Luftës së UÇK-së duhet të kenë parasysh që për shkak të autorizimeve ligjore, kjo çështje duhet të zgjidhet mes tyre. Unë do të kërkoj nga të dy palët që me vullnet të mirë dhe me mirëkuptim të ndërsjellë të gjendet një zgjidhje. Zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet sa më shpejtë për shkak të kompleksitetit dhe ndjeshmërisë së çështjes. Zgjidhja duhet të ofrohet nga vet Universiteti i Prishtinës si institucion autonom”, thotë Bajrami.

Bajrami bëri të ditur se për vitin e ardhshëm, Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Shoqatat përkatëse të luftës së UÇK-së, do të angazhohen që të përgatisin një program për përkrahjen e kandidatëve që i takojnë kategorive të familjarëve të ngushtë të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Ky program i përkrahjes, sipas tij, do të mundësoj kurse përgatitore për provim pranues në Universitet.Arsim Bajrami gjithashtu rekomandoi që verifikimi i dokumentacionit dhe vërtetësisë së të dhënave të kandidatëve të paraqitur të bëhet në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Njohje dhe Verifikimit të Statusit të Dëshmorit, Invalidit dhe Veteranit të UÇK-së dhe në bashkëpunim me Zyrën për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta.

Top Channel