Moska lejon BBC të xhirojë “Lufta dhe Paqja” në Rusi

29/12/2014 00:00

Marrëdhëniet diplomatike mes Rusisë dhe Londrës mund të mos jenë të ngrohta për momentin, por kjo nuk do të thotë se Moska i ka mbyllur dyert BBC-së.

Kështu, transmetuesi britanik ka njoftuar se ka marrë dritën jeshile nga autoritetet ruse për të filmuar përshtatjen televizive të “Lufta dhe Paqja” në Rusi.

Kryevepra letrare e Leo Tolstoy do të tregohet me 6 episode 1-orëshe në kanalin BBC One, me interpretimin e aktorit të “12 vjet skllav” Paul Dano në rolin e Pierre Bezukhov, aktoren e “Downton Abbey” Lily James në rolin e Natasha Rostova dhe James Norton në rolin e princit Andrey Bolkonsky.

Xhirimet do të nisin në janar 2015 në Rusi, Lituani dhe Letoni, pavarësisht kritikave të bëra ndaj Rusisë nga Britania dhe vende të tjera të Perëndimit.

Më herët gjatë vitit Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj disa individëve dhe bizneseve të njohura ruse pas aneksimit të Krimesë dhe krizës në lindje të Ukrainës.

Vetë kryeministri David Cameron paralajmëroi muajin e kaluar presidentin rus Vladimir Putin se vendi i tij do të përballej me sanksione të tjera nëse nuk ndalte destabilizimin e Ukrainës.

Por BBC deklaroi se nuk kishte hasur asnjë problem në marrjen e lejes për të filmuar dramën e saj të re në Rusi dhe theksoi se gjithçka me projektin po ecën mirë.

Top Channel