Dosjet, drafti i qeverisë në janar. Veliaj: Nuk shkelim Kushtetutën

29/12/2014 00:00

Projektligji i hapjes së dosjeve do të nisë të shqyrtohet në Kuvend me fillimin e sesionit të ri parlamentar në janar. Ministri Erjon Veliaj tha pas mbledhjes së qeverisë se drafti është gati.

Procesi do të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik të të dhënave të sigurimit, që do të ketë në përbërje 5 anëtarë dhe do të jetë strukturë në varësi të Parlamentit.

Shqipëria në këtë proces do të ndjekë modelin gjerman. Drafti merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias, tha ministri Veliaj.

“Pr/ligji përcakton qartë fushën e veprimit për hapjen e dosjeve, që fillon më 29 nëntor 1944, kur u çlirua Shqipëria dhe përfundon më 21 mars 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste në vend”, deklaroi Veliaj.

Qeveria harton këtë projektligj në një moment kur shoqëria civile, e mbështetur edhe nga deputetë të opozitës, kanë depozituar një tjetër në Kuvend.

“Kushdo tjetër që ka interes të hapen dosjet të mbështesë një proçedurë dhe një ligj që merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjet për ruajtjen e të dhënave personale dhe që ofron një proces që ka për qëllim transparencën”, nënvizoi Veliaj.

Qeveria përmes këtij drafti thotë se nuk do të ketë dënime kolektive, e shpallur kjo si antikushtetuese nga gjykata. Shqipëria, që është e fundit në këtë proces nga vendet e Lindjes, me këtë tentativë që nuk është e para beson se do t’i japë fund njëherë e mirë këtij procesi që ka shërbyer më së shumti për të shantazhuar kundërshtarët në të kaluarën, siç tha ministri Veliaj.

“Ne nuk kemi asnjë kompleks që jemi edhe të majtë edhe socialistë edhe të vendosur për të bërë një shkëputje nga e kaluara përmes këtij akti transparence”, shtoi Veliaj.

Top Channel