I dënuar për patentën e motoçikletës, vuan sëmundjen dhe papunësinë

29/12/2014 00:00

Erald Sadiku, 27 vjeç, ka prekur fundin. Ai u arrestua muaj më parë teksa po shkonte me një motor pa dokumenta në spital. Nisur nga rrethanat e tij, duke qenë se ka fëmijë për të rritur, gjykata ia konvertoi burgun në 18 muaj shërbim prove.

“Jam i humbur fare. Në radhë të parë jam shumë fukara dhe në radhë të dytë jam i sëmurë, nuk kam para që të vizitohem. Dhe sikur të mos mjaftonin këto kam edhe probleme me shtetin”, tregon Sadiku.

Ai është vazhdimisht në kërkim të një pune, pasi gjendja ekonomike e familjes është më shumë se e mjeruar.

“Kur vjen dita që do paraqitem atje (shërbimi i provës) them, më iku dita e punës. Dhe kur kthehem tek dyqani pyes veten a do më japë apo jo borxh ai sot. Por borxhi shtohet përditë, është i lartë. Ka pasur ditë që kam dalë edhe në dy të natës për të gjetur bukë për fëmijët”, thotë 27-vjeçari.

Punonjësit e Shërbimit të Provës, tek të cilët ai duhet të paraqitet, jo pak herë për humanizëm e kanë ndihmuar, por kjo nuk mjafton.

“Ai vuan nga disa gjendra për të cilat nuk di nëse janë kancerogjene apo jo, sepse nuk ka para të paguajë për biopsinë e këtyre gjendrave”, deklaron punonjësja Gisela Rrembeci.

Por çfarë e tremb më shumë Eraldon?

“Gjithmonë e nesërmja për mua është frikë. Kam kërkuar punë, më kanë thënë se do të të marrim në telefon, por… Kam marrë nusen dhe kam dalë për të mbledhur gjëra të riciklueshme. Ai që është e kupton fukarallëkun. I ka të gjitha të këqijat. Në radhë të parë kur sheh fëmijën që vuan për bukë është gjëja më… Nuk di si ta shpjegoj. Në radhë të dytë, kur s’ke mundësitë kur je i sëmurë…”, shprehet i dëshpëruar 27-vjeçari.

 

Top Channel