Legalizimet, polemika në distancë Rama-Basha

29/12/2014 00:00

Kamza, një prej zonave me numrin më të madh të ndërtimeve që presin legalizmimin, ishte ndalesa e Kryeministrit Edi Rama në këtë prag ndërrimi vitesh.

Kryeministri në fjalën e tij para banorëve vendas tha se qeveria që ai drejton në nëntë muaj ka kryer 21 mijë legalizime falas, aq sa qeveria paraardhëse i ka bërë në tetë vjet qeverisje.

“Qeveria jonë bëri në nëntë muaj aq sa qeveria e Partisë Demokratike bëri në 8 vjet. Në 4 muaj janë bërë 72 mijë deklarime të reja për legalizime”, tha Rama.

Më më pas Kryeministri ka shpërndarë tapitë për disa banorë që kanë përfituar nga procesi i legalizimeve falas.

Por për opozitën legalizimet janë mashtrimi i radhës i qeverisë. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha nëpërmjet rrjeteve sociale shkruan: “Asgjë e re nga fronti i mashtrimit. Kryeministri u kthye në vendin e kryemashtrimit për legalizim falas dhe nuk ja bëri goja të thotë më falni që ju mashtrova”.

“As legalizime falas, as ulje taksash, as ulje çmimi për energjinë, asnjë vend të ri pune për be. Rrena boll, dhe shkatërrim pa kufi. Legalizimet më shtrenjtë, taksat u rritën për herë të dytë, çmimi i energjisë u rrit, papunësia dhe varfëria po ashtu. Vajmedeti vjell vrer kundër opozitës, i tund prangat popullit, por ditët e pushtetit kanë filluar t’i numërohen mbrapsht. Durimi i njerëzve ka një kufi. Koha ka ardhur ta shkulim të keqen me rrënjë”, tha Basha.

Po nëpërmjet rrjeteve sociale ka mbërritur kundërpërgjigjja e Kryeministrit Rama.

“Për shpërndarjen e 2002 lejeve falas të legalizimeve në Kamëz, ku në 22 vjet janë bërë 2002 premtime të gënjeshtërta nga ata që njihen e dihen. Nga 2005 – 2013 u bënë 21.720 legalizime me para mbi e nën dorë, vetëm në 2014 u bënë 21.000 legalizime falas”, shkruan Rama.

Top Channel