Tiranë, ndotja e ajrit alarmante. 30- 40% mbi normat e BE

29/12/2014 00:00

Banorët e Tiranës shprehen të shqetësuar për ndotjen e ajrit në kryeqytet. “Kur nderim rrobat, pas dy ditësh që bëhet tharja i ke gjithë pluhur. Katet e para e kanë më problem. Ky pluhur ku shkon, në organizmin e njeriut. Ne jemi të shqetësuar se edhe kanceri nga këto vjen. Mosha jonë iku, hëngrëm çfarë hëngrëm, po kemi hallin e fëmijëve”, shprehet Shyqyri Moqi.

Dhe shqetësimi i Shyqyri Moqit nuk është i pavend. Të dhënat e fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dëshmojnë se cilësia e ajrit urban në Tiranë i kalon normat e Bashkimit Europian me mbi 30%.

Matjet e kryera nga dy stacionet e monitorimit, njëri pranë rrugës “Sami Frashëri”, ku ndodhet AKM dhe tjetri pranë Ministrisë së Mjedisit, tek “Rruga e Durrësit” tregojnë një nivel të lartë të ndotjes së ajrit nga grimcat e pluhurit.

“Gjatë thuajse gjithë vitit ka një normë pothuajse 30-40% mbi normën e Bashkimit Europian. Edhe në dhjetor, në pikat që ne kemi monitoruar vihet re një trend i tillë i cilësisë së ajrit urban”, deklaron Julian Beqiri, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Por cilat rezultojnë zonat me ndotjen më të lartë të ajrit në kryeqytet?

“Duke pasur të dhëna të mëparshme të pikave të tjera të monitorimit, “21 Dhjetori” rezulton një pikë me ndotje të lartë mbi normat e BE e po ashtu zona e Tiranës së Re, pjesa e Unazës së Madhe, nga Dogana deri tek pallati me shigjeta. Ku kemi një fluks të madh trafiku kemi dhe një ndotje më të lartë të cilësisë së ajrit urban”, nënvizon Beqiri.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thekson se në ndotjen e lartë të ajrit në Tiranë përpos trafikut ndikon edhe industria, mënyra e pastrimit të qytetit nga mbetjet urbane apo sipërfaqet e gjelbërta.

Në programin e AKM-së për vitin 2015, të miratuar edhe nga Ministria e Mjedisit parashikohet që duke nisur nga janari, numri i stacioneve të monitorimit të ajrit urban në vendin tonë të shkojë nga 10 që është aktualisht në 51, çka pritet të sjellë një tablo më të detajuar të ndotjes së ajrit në qytetet shqiptare.

Top Channel