Kosovë, 75 aksidente nga moti i keq

29/12/2014 00:00

Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 75 aksidente rrugore. Prej tyre, 12 kanë përfunduar me lëndime dhe 63 të tjera me dëme materiale.

Duke iu referuar informacioneve zyrtare të pranuara nga të gjitha Drejtoritë rajonale policore, policia bën të ditur se përkundër reshjeve të bores, rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme, por të vështira për qarkullim.

Në disa rrugë, që janë kryesisht në zona malore dhe në zona të thella, duke përfshirë fshatrat, qarkullimi është shumë i vështirë dhe kalimi mund të bëhet vetëm me pajisje dimërore.

“Në disa rrugë ka edhe akull, ndaj kujdesi duhet rritur vazhdimisht, sidomos në orët e vona dhe në orët e hershme të mëngjesit”, thuhet në një komunikatë të policisë të shpërndarë të hënën.

Rrugët më problematike janë Keqekollë-Mutivodë, Gjilan-Llabjan në drejtim të Novobërdës, Pejë-Kullë dhe Mitrovicë-Shalë e Bajgorës.

Top Channel