Me përjashtim të unitetit të treguar për Ukrainen dhe konfrontimit me Rusinë, përçarjet, euroskepticizmi dhe dyshimet në vetëvete mbizotëruan pjesën më të madhe të 2014-s për Bashkimin Europian.
Zgjedhjet europiane në muajin maj dëshmuan qartë se çfarë vlonte prej kohësh nën sipërfaqe: euroskeptikët dhe populistët shënuan fitore dërrmuese, duke treguar kështu sesa i lartë ishte niveli i pakënaqësisë.
Në Francë, Britaninë e Madhe dhe Danimarkë ata dolën madje fitues me një program që kërkonte më pak Europë e më shumë komb.
Fronti Nacional në Francë dëshiron largimin nga Bashkimi Monetar dhe rivendosjen e frangës, Partia britanike e Pavarësisë, UKIP kërkon largimin e vendit nga BE.
E përbashkëta e të gjithëve është se duan më pak emigrantë. Madje, po të varej nga këto parti, edhe brenda Bashkimit Europian liria e lëvizjes do të kufizohej ndjeshëm.
Në analizën që bën “Deutsche Welle”, në thelb ky për bllokun ka qenë një vit mjaft i vështirë. Kriza e euros mbetet një faktor kyç, ndërsa Europa vazhdon të mbetet e përçarë përballë pyetjes: si duhet luftuar kriza?
Nëse më parë shqetesimin kryesor e përbënin Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Spanja, në këto vende situata ka nisur të përmirësohet dhe problemet tani po spostohen tek Italia dhe Franca.
Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një mundësi reale. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar në shtator shpëtoi për pak nga shpërbërja. Skocezët votuan me 55 kundër 45 përqind kundër pavarësisë.
Gjithësesi, rezultati ishte mjaft i qartë, për të ulur euforinë e separatistëve të tjerë në Europë, si në Katalonjë e në Tirolin e Jugut.
Top Channel