Francë, 15 mijë persona kalojnë natën në dëborë

29/12/2014 00:00

Dëbora dhe akulli bllokuan për dy ditë me radhë mijëra automjete në Alpet franceze, duke lënë në mes të ngricës pushuesit që lëviznin drejt resortave dimërore.

Sipas autoriteteve në rajonin e Savojës, 15 mijë vetë e kaluan natën e së shtunës nëpër ndërtesa publike e palestra, të kthyera në streha të improvizuara emergjence.

Një person humbi jetën dy ditë më parë nga rrëshqitja e automjetit të tij në një rrëpirë, në rajonin Isere, ndërsa një tjetër vdiq prej një orteku të dielën.

Më herët gjatë javës, tre persona të tjerë gjetën vdekjen nga aksidente që sipas së përditeshmes franceze “Le Monde”, ishin shkaktuar që të gjitha prej borës.

Qeveria franceze ka bërë thirrje që drejtuesit e automjeteve të tregohen shumë të kujdesshëm në timon e në pergjithësi këshillon, brenda mundësive, shmangien e udhëtimeve.

Për të ilustruar sa më qartë rëndesën e situatës në Alpe, BBC sjell rrëfimin e turistit britanik Gavin Rigby, që thotë se i janë dashur plot 11 orë për e përshkruar me makinë rrugën nga Val d’Isere ne Bourg Saint Maurice, një rrugëtim që normalisht nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Një kompani britanike skish e quajtur “Crystal Ski” ka organizuar fluturime emergjence për të kthyer në shtëpi me qindra pushues anglezë të bllokuar në aeroportin Chambery, në Savoja.

Vala e menjëhershme e të ftohtit ka shkaktuar probleme edhe në pjesë të tjera të Europës perëndimore, sidomos në Britani e Gjermani.

Top Channel