Ancelotti: Ndaj Milanit, një ndeshje speciale. Ruaj kujtime të bukura

29/12/2014 00:00

Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, ka nisur shumë më herët të shijojë përplasjen e ekipit të tij aktual ndaj ish-ekipit të tij, Milanit, të vlefshme për “Dubai Challenge Cup”, një turne miqësor.

55-vjeçari udhëheq kampionët në fuqi të Europës (Champions League) kundër gjigantëve italianë, të cilët janë shumë larg formës së dikurshme dhe reputacionit si një prej ekipeve më të mëdha të Europës, teksa “Los Blancos”-it vijnë pas një ecurie prej 22 fitoresh radhazi në të gjitha kompeticionet.

Ai deklaroi për faqen zyrtare të klubit madrilen se “kjo do të jetë një ndeshje speciale për mua. Kam një histori të pasur me Milanin dhe ruaj gjithashtu një marrëdhënie tepër speciale me trajnerin e tyre (Filippo Inzaghi), i cili ka qenë një prej lojtarëve të mi kur drejtoja atë klub. Do të jetë një ditë speciale për mua, është nder të luaj kundër tyre, sepse kam kujtime të thella nga ai klub”.

Tekniku italian kaloi në “Bernabeu” në qershorin e vitit 2013 dhe udhëhoqi Realin drejt fitimit të Kupës së Mbretit dhe titullit të dhjetë rekord në Europë (La Decima), që me sezonin e parë në krye të madrilenëve. Më herët gjatë këtij muaji, Real siguroi edhe titullin e katërt sezonal, pas fitores 2-0 ndaj San Lorenzos, në ndeshjen e vlefshme për Botërorin e Klubeve, pas trofeve të Championsit, Superkupës së Europës dhe Kupës së Mbretit.

Top Channel