Rama: Mbulimi universal shëndetësor, objektivi ynë

29/12/2014 00:00

Nga ceremonia e organizuar me stafet mjekësore të shërbimeve shëndetësore që kanë performuar më mirë gjatë këtij viti, Kryeministri Edi Rama tha se shëndetësia falas, pjesë e programit qeverisës është një kusht për barazi.

Rama krahas përgëzimit për punën e deritanishme theksoi se “shërbimi shëndetësor ka një perceptim publik të rëndë dhe sfida është për ta përmbysur atë. Shefi i qeverisë theksoi se shëndetësia nuk është sot aty ku duhet të ishte, por është padyshim shumë herë më mirë se më parë.

“Nuk them që jemi aty ku dëshirojnë qytetarët, por shëndetësia sot është më mirë se ç’e gjetëm kur e morëm; barnat janë shtuar dhe heqja e TVSH për to ka ulur çmimet. Në spitalet tona ofrohen më shumë ekzaminime imazherike, klinike dhe biokimike, ofrohet më shumë cilësi”, tha ndër të tjera Rama.

Rama tha se në 2015-n do të shumëfishohen investimet në shëndetësi, tanimë që do të përfundojë e shlyerja e 40 milion dollar borxhe të trashëguara në sistemin e shëndetësisë.

Top Channel