Udhëtimi nga fshati i hijshëm i Petrelës, me në krye kalanë e ndërtuar nga Justiniani i Parë, zgjat vetëm disa minuta. Asfalti humbet e vendin e tij e zë një rrugë e sfilitur.

“Kalaja e Petrelës është një nga monumentet e kulturës më të njohura në zonën e Tiranës, e megjithatë nëse ne njohim më së shumti këtë fortifikim të shekullit të VI, jo larg fshehur mes malit ngrihet një tjetër vlerë e madhe”.

Qyteti ilir i Persqopit duket sikur fshihet ndrojtur, pavarësisht madhështisë imponuese që tregojnë muret e tij. Sipas studiuesve, struktura e tyre daton në shekullin e katërt dhe të tretë para Krishtit. Të dhënat për këtë qytet janë të pakta, duke qenë se çuditërisht kanë munguar studimet dhe analizat e mirëfillta për të. Radhët e para janë hedhur nga Von Han në 1853-shin, të pasuara rreth viteve ’70 nga studiuesi Fabian Miraj, e diku më pas në 2000-shin edhe nga historiani e arkeologu, Moikom Zeqo. Gjithçka tjetër e dhënë nga arkeologë të ndryshëm ka më së shumti lidhje me pozicionin dhe ekzistencën e asgjë më konkrete.

“Shikoni se si erozioni po rrëmben këtë trakt masiv muri me gurë çiklopike, gurë të tjerë të rënë deri poshtë janë tregues i rrezikut të vazhdueshëm që mund të çojë deri në shkatërrimin e plotë të këtij masivi muri të mbetur”.

Për t’iu afruar mureve, shpesh duket e pamundur. Ato arrijnë deri në 6 metra, çka përbën një rekord – siç e ka quajtur Moikom Zeqo, – të ruajtjes së lartësisë së mureve ilire në Shqipëri. Ato janë ndërtuar me gurë monumentalë të skalitur e të vendosur kujdesshëm mbi njëri-tjetrin, siç i takonte kulturës ilire. Mes dëmtimeve të shumta mund të dallohen edhe mbetjet e kullave, ndërsa një pjesë tjetër muresh zhduken frikshëm mes ferrave e dheut.

“Tirana duhet të jetë një ndër qytetet e pakta në botë, që në vend që të mburret me monumente të tilla, mburret me pallatet e betonit dhe banesat shumëkatëshe, ndërkohë vlera të tilla dergjen pa asnjë mbështetje”.

Ka mjaftueshëm të dhëna se në nëntokë ka ende gërmadha të qytetit dhe mjaft elementë të tjerë, që nëse do të risilleshin në jetë do të zbulonin më shumë për të. Mes tyre, një burim monumental dhe tubacionet prej qeramike, që i përkasin dy periudhave: asaj të Antikitetit dhe Mesjetës. Por, në të tilla kushte është e vështirë të identifikosh vërtetë diçka.

“Dikur kalaja, pjesë e qytetit antik, zotëronte rrugën nga fusha e Tiranës drejt Qafë Krrabës, ndërsa sot, për fat të keq e siç mund të duket, zotëron asgjënë”.

Ashtu si rruga për këtu, edhe për në pjesën e pasme të qytetit nuk ka asnjë tabelë orientuese. Mund të shkosh e të vish pa kuptuar se ku, në një labirint rrugësh të vogla, që dredhojnë nëpër kodra.

Një ndër objektet e para që dallohet është një varr monumental, i një tipi që mund të gjendet në disa zona të Shqipërisë. Me një sipërfaqe rreth 20 metra katrorë, ai duket se përbëhej nga dy dhoma, paradhoma dhe pjesa tjetër ku prehej trupi. E nuk është i vetmi, sepse jo larg ka edhe të tjerë. E këto mund t’i përkasin edhe perandorëve ilirë, e sigurt është se varre të tilla ndërtoheshin vetëm për persona me rëndësi në shkallën hierarkike.

Nëse je i prirur drejt eksplorimit, më sipër dallohen pjesë të tjera të qytetit.

“Vetëm në këtë pjesë të murit janë kryer disa punime, siç mund të duket. Pra, e gjithë kjo pjesë është pastruar. Imagjinoni si do të ishte, nëse i gjithë ky territor i qytetit antik dhe kalasë do të pastrohej njësoj si këtu. Imagjinoni se ç’pamje do të ofronte ky vend arkeologjik”.

Ka shumë mure apo gërmadha ndërtesash të dikurshme, zhytur pas gjelbërimit. Gurë të mëdhenj dallohen tej edhe në fushat përreth, dukshëm të lëvizur nga erozioni. Misteri që e rrethon këtë qytet e bën edhe më mistik, edhe më tërheqës. Faktet janë këtu mes këtyre mureve, gërmadhave, që fshehin pas historinë, një histori që nuk dihet pse askush nuk është përpjekur ta zbulojë siç duhet. Kaq pranë kryeqytetit, por kaq i panjohur për të.

Një vend i tillë mund, e duhet risjellë në vëmendje, duke organizuar ekspedita të vërteta arkeologjike. Një mundësi më shumë për Tiranën, për historinë e këtij qyteti. E këto, sigurisht kanë më shumë vlerë se gjithçka, e mbi të gjitha kanë më shumë vlerë se sa kamaret e betonit, që dallohen këtej, e që duket sikur do të pushtojnë edhe qiellin.

Top Channel