SHBA, përfshihet nga flakët një azil të moshuarish, 5 të vdekur

29/12/2014 00:00

Pesë persona kanë mbetur të vdekur në San Antonio, Texas gjatë së dielës pasi një azil të moshuarish u përfshi nga zjarri.

Forcat e shumta zjarrfikëse që mbërritën në vendngjarje arritën të shpëtonin  banorët që gjendeshin në katet e larta të ndërtesës 12-katëshe.

Shefi i zjarrfikësve ka thënë se 3 persona janë transportuar me ambulancë në një spital të zonës, por gjenden jashtë rrezikut për jetën. “ Pas kontrolleve në të gjithë ndërtesën, është e mahnitshme që nuk kemi viktima të tjera”, është shprehur Charles Hood.

Në operacionin e shpëtimit morën pjesë më shumë se 160 zjarrfikës nga 6 njësitë që ishin thirrur në vendngjarje.

Rreth 75 banorë janë evakuuar nga katet e larta të ndërtesës, ku disa prej tyre e kishin të pamundur të lëviznin dhe është dashur një ndërhyrje e veçantë ndaj tyre, ndërsa me qindra të tjerë që banonin në pallat janë larguar vetë nga ndërtesa”, tha Hood.

Ndërkohë shkaqet që çuan në rënien e zjarrit në katin e tretë të ndërtesës janë ende të papërcaktuara.

Top Channel