Ish-lojtari i kombëtares holandeze kërkon skuadër me ‘LinkedIn’

30/12/2014 00:00

Një ish-lojtar i kombëtares holandeze të futbollit ka vendosur që të përshtatet me kohën dhe të kërkojë një skuadër të re nëpërmjet rrjetit social ‘LinkedIn’.

Demy de Zeeuw, i cili aktualisht nuk ka ekip, njofton se është 31 vjeç, ka luajtur me skuadra si AZ Alkmaar, Ajax, Spartakun e Moskës dhe Anderlecht. Gjithashtu, “mburret” me 27 ndeshjet e tij me përfaqësuesen, me të cilën ka luajtur edhe gjysmëfinalen e Botërorit 2010 mes Holandës dhe Uruguajit.

Ai kërkon që ekipi i ardhshëm i tij të jetë në Europë, SHBA apo Lindjen e Mesme.

Për ta kompletuar profilin, ai ka vendosur edhe një video me performancat e tij më të mira.

Dhe e fundit, nuk ka pretendime për pagën: do të varet nga klubi dhe vendi që do të marrë shërbimet e tij.

Top Channel