Ngrica në rrugë, akset nacionale të hapura, “të përdoren zinxhirët”

30/12/2014 00:00

Pas dëborës, problem në rrugë është kthyer prania e akullit. Autoriteti Shtetëror i Rrugëve kërkon që të bëhet kujdes veçanërisht me shpejtësinë e mjeteve dhe të evitohen parakalimet në ato zona ku ka akull.

Përdorimi i gomave të dimrit është i detyrueshëm. Temperaturat që zbritën deri në -8 në disa zona të vendit, por edhe në kryeqytet janë shkaktare të disa aksidenteve të ndodhura, pa pasoja të rënda. Raportohet se asnjë rrugë nacionale nuk është e bllokuar, por në shumë akse dhe veçanërisht në disa rrugë rurale dhe malore ka prani të madhe akulli.

Në gjendje pune janë që të gjitha kompanitë që kujdesen për hapjen e rrugës dhe hedhjen e kripës për të evituar akullin në rrugë. Në kryeqytet raportohet se vetëm zona në Dajt dhe rruga për në Qafë-Mollë dhe Bizë ka akull dhe lëvizja duhet bërë me zinxhirë. Në Elbasan raportohet se është bllokuar aksi Librazhd-Sterblevë, ndërsa në rrugët e tjera ka akull. Në aksin Peqin-Rrogozhinë ka patur shembje masive në Dërven.

Ngricat kanë mbërritur edhe në Qarkun e Vlorës, ku raportohet se ka akull në Qafën e Llogarasë ku po hidhet kripë. Situatë e ngjashme është edhe në rrugën Gjirokastër-Sarandë në Qafën e Muzinës ku akulli është prezent në disa zona. Situatë më e ndërlikuar është në Qarkun e Korçës, ku nuk raportohen rrugë të bllokuara, por të gjitha janë me prezencë akulli dhe kërkohen zinxhirë.

Në Qarkun e Kukësit ka akull në të gjitha segmentet rrugore dhe rrezikshmëria më e madhe është te erërat e forta që hedhin dëborën mbi rrugë dhe mbulojnë akullin, por edhe kanë ulur ndjeshëm shikueshmërinë.

Rruga e Kombit në gjithë gjatësinë e saj është e hapur, por në disa zona ku ka dhe prani policie kërkohet përdorimi i zinxhirëve. Në qarkun e Dibrës rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak se në Bulqizë dhe Peshkopi ka shumë akull në rrugë.

Situatë të ngjashme ka edhe Qarku i Shkodrës sepse të gjitha akset nacionale që shkojnë drejt Malit të Zi, Malësisë së Madhe dhe Pukës janë me akull. Autoriteti Rrugor rekomandon që në rrugën e Pukës dhe Malësisë së Madhe të përdoren.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar ndalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë drejt Maqedonisë, për shkak të vështirësive në kalim të shkaktuara nga reshjet.

“Në pikën e kalimit të Qafë Thanës do të ndalohen mjetet e rënda. Kjo, pasi nga reshjet e borës dhe ngrica është i pamundur kalimi drejt Strugës”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Nga të dhënat e fundit zyrtare rezulton se mbi 100 automjete janë të bllokuara në aksin Pogradec-Qafë Thanë. Autoritetet lokale njoftojnë se në këto automjete udhëtojnë edhe fëmijë.

Top Channel