Trageti, mediat britanike: Defekte të mëdha sigurie që shkaktojnë tragjedinë

30/12/2014 00:00

“Norman Atlantic” kishte probleme të mëdha sigurie, sipas të përditshmes britanike “Daily Telegraph”. Duke cituar inspektorët grekë, gazeta flet për identifikimin e disa mangësive të mëdha të cilat kishin të bënin pikërisht me sigurinë nga zjarri.

Raporti i zyrtarëve në Portin e Patras, nga ku trageti nisi rrugëtimin mëngjesin e së dielës, është publikuar online nga një faqe interneti greke. Inspektimi i kryer në 19 dhjetor ka gjetur parregullsi serioze si përsa i takon sigurisë nga zjarri, ashtu edhe planeve për evakuimin e pasagjerëve në rast emergjence.

6 ishin problemet kryesore të cilat lidheshin me ndriçimin në rast urgjence, dyert e zjarrit dhe ngërçe të mëdha me reagimin për shpëtimin e jetëve njerëzore. Nga vetë raporti grek rezulton se operatorit të tragetit i ishin lënë 15 ditë afat për të zgjidhur këto probleme, por nuk dihet nëse është marrë ndonjë masë konkrete prej drejtuesve të kompanisë.

Sindiktatat e tregtisë e akuzojnë firmën italiane “Visemar Di Navigazone Srl” dhe operatorin grek të trageteve “Anek Lines” se kanë reduktuar masat e sigurisë në mënyrë që të rrisnin fitimet.

Në bari, gjykatësi Giuseppe Volpe njoftoi nisjen e një hetimi mbi dramën e tragetit, i cili do të përcaktojë nëse dikush në këtë mes do të akuzohet për “mbytje të anijes nga neglizhenca”.  Pronari Carlo Visentini sqaron se kompania e tij tij “Visemar” ofroi bashkëpunim të plotë në operacionin e shpëtimit, por nuk komentoi mbi masat që duheshin marrë përpara se të shkohej deri në këtë tragjedi.

Përfaqësuesit e katër sindikatave greke të tregtisë nxorrën një deklaratë të përbashkët ku thonë se etja e pronarëve të trageteve për të nxjerrë fitime sa më të majme nga ky biznes e eklipson marrjen e masave të domosdoshme për mbrojtjen e jetëve njerëzore në det.

Zjarri që përfshiu tragetin italian mëngjesin e së dielës filloi ne pjesen e tij ku qendronin automjetet, e besohet të ketë nisur nga një kamion që transportonte vaj ulliri.

Top Channel