Anija çisternë lëshon alarmin në Korfuz, frikë për persona të armatosur në bord

30/12/2014 00:00

Një anije tjetër në perëndim të Korfuzit, 3 milje nga ishulli Othonas, ka lëshuar sinjalin SOS sipas mediave greke.

Nga informacione ende të pakonfirmuara duket se një person i ndodhur në këtë anije ka komunikuar me Marinën Detare ku ka lajmëruar se anija ndodhet në rrezik për t’u mbytur pasi në zonë ka dallgë shtatë ballë.

Bëhet fjalë për anijen çisternë “Blue Sky M” me flamur të Moldavisë me të paktën 700 persona të cilët thuhet se janë emigrantë të paligjshëm.

Por ajo që theksohet në mediat greke është fakti se në anije ndodhen persona të armatosur ndaj drejt saj është nisur edhe fregata greke “Navarinou” si dhe dy helikopterë të cilët ndodheshin pranë anijes “Norman Atlantic”, për të parë nga afër gjendjen.

Lajmi është konfirmuar nga organet italiane të cilat kanë njoftuar homologët e tyre grekë. Sipas drejtorit të Marinës Detare të Korfuzit Spiros Andriotis anija në fjalë ndodhet në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit Othonas në veri të Korfuzit dhe kishte destinacion Kroacinë.

Për shkak të kushteve ekstreme të motit deri tani nuk mund të çohet një rimorkiator për të tërhequr anijen që rrezikohet.

Top Channel