Renzi: Shqipëria është në Europë. Takimi me Ramën: Po punojmë për pensionet

30/12/2014 00:00

Kryeministri italian, Matteo Renzi mbërriti në Tiranë në një vizitë zyrtare prej disa orësh. Ndalesa e parë e tij dhe e delegacionit që e shoqëronte ishte selia e Këshillit të Ministrave, ku u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Të dy delegacionet zhvilluan një takim të përbashkët në të cilin, siç tha kryeministri Rama në konferencën për shtyp, u ra dakord për heqjen e një take 50-vjeçare për transportin mes dy vendeve.

Një vëmendje të posaçme në bisedime iu dha edhe çuarjes përpara nga pala italiane të njohjes së ndërsjelltë të pensioneve të emigratëve tanë në Gadishullin Apenin.

“Biseduam edhe për hapjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Një punë e admirueshme e bërë nga ministri ynë i Mirëqënies Sociale, që ka sjellë në njohjen e pensioneve nga disa vende. Sot ne ramë dakord që projekti i vendosur në tavolinën e përbashkët të dy ministrave të kalojë në fazën e negociatave. Kjo, pasi nuk është vetëm pala shqiptare që kërkon njohjen e pensioneve, por edhe ajo italiane për rreth 20 mijë shtetas italianë që punojnë në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeministri Renzi e vuri theksin në rëndësinë që merr zgjerimi familjes europiane me vende të tjera.

“Pasi kemi punuar si kryebashkiakë, sot kemi ndryshuar punë dhe po ashtu duhet të ndryshojmë të dy vëndet tona, në mënyrë që të jenë të afta të ndërtojnë idealin europian. Po. Shqipëria është tashmë në Europë. Nuk bëhet fjalë thjesht për ta futur Shqipërinë brenda në Europë, pasi ajo është tashmë në Europë, por bëhet fjalë për ta zgjeruar familjen e madhe europiane. Duhet ta bëjmë këtë se është e drejtë dhe e dobishme. Para së gjithash, kjo i shërben Europës shumë më parë sesa t’i shërbejë Shqipërisë apo vendeve të tjera që kanë statusin e vendit kandidat. E pra, me këtë frymë ne sot po përfundojmë semestrin 6-mujor të Presidencës Italiane dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë në Tiranë dhe jo në Romë, sepse kjo është si të thuash një copëz e tregimit të Europës që do të vijë një ditë. Ne jemi të kënaqur për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, por na duhet të vrapojmë në mënyrë që negociatat të jenë të shpejta dhe është me rëndësi që populli shqiptar ta dijë se Italia do të jetë gjithmonë e sidoqoftë sponsori i parë dhe kryesor për këtë projekt të Shqipërisë”, deklaroi Renzi.

Media italiane u interesua të dinte më shumë detaje për zjarrin që përfshiu tragetin “Norman Atlantic”. “Natyrisht, ne jemi pranë familjeve të atyre që humbën jetën në tragetin “Norman Atlantic”. Ishte një e dielë e vështirë. Për sa përket shkaqeve për atë që ndodhi u takon organeve të drejtësisë të hedhin dritë mbi to. I jam mirënjohës kryeministrit Rama pasi bashkëpunimi ishte i menjëhershëm në ato orë të vështira”, u përgjigj kryeministri Renzi.

Ndërsa kryeministri Rama tha se ai i detyrohej shumë homologut Renzi për udhëheqjen e një operacioni të vështirë e në kushte të jashtëzakonshme që mund të krijonte një tragjedi.

Gjithashtu, Rama u shpreh se ndihej krenar për Forcat e Armatosura dhe ato të rendit që ishin në lartësinë e detyrës. Më pas, kreu i qeverisë italiane u takua me kryeparlamentarin Meta dhe presidentin e Republikës, Nishani.

Top Channel