“Dueli” SHBA-Rusi, Obama: Putin doli i humbur

30/12/2014 00:00

Pas deklaratave se nuk ishte Vladimir Putin ai që e solli vërdallë me lojrat e tij, por se ishte presidenti rus ai që vuajti sfidën e bërë Amerikës, Barack Obama e ka fshikulluar edhe një herë tjetër shefin e Kremlinit.

Sipas tij, Putin bëri një gabim strategjik me aneksimin e Krimesë, një lëvizje kjo jo fort e zgjuar sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë. Obama ka kujtuar se kriza ekonomike e Rusisë sot është dëshmia e qartë e faktit se, kush e konsideron gjeni homologun e tij rus e ka gabim.

Sanksionet ndërkombëtare e kanë bërë ekonominë ruse tepër të cënueshme, sidomos ndaj lëvizjeve të çmimit të naftës, argumentoi Obama.

“Besoj se e mbani mend kur tre apo katër muaj më parë, të gjithë në Uashington ishin të bindur se presidenti Putin ishte një gjeni dhe se na kishte nxjerrë të gjithëve ne jashtë loje, se ishte tallur dhe kishte krijuar një strategji mjaft të efektshme për zgjerimin e pushtetit të Rusisë. Sot, unë kam përshtypjen se të paktën jashtë Rusisë ka plot njerëz që mendojnë se ajo çfarë bëri Putin, në fund, nuk ishte dhe aq e zgjuar”, deklaroi Obama.

Avantazhi ynë i madh me Moskën, shtoi presidenti amerikan, është se ne kemi një ekonomi dinamike, vitale, ndërsa rusët nuk e kanë. “Ata varen nga nafta, ne varemi nga nafta, nga iPad-ët, filmat e çfarë të doni ju tjetër”, shtoi presidenti amerikan.

Kolapsi i rublës nga ana tjetër ka shtuar dhe ai presionin mbi Vladimir Putin. Pas një referendumi të shumëdiskutuar në Krime, Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas në muajin mars.

Por, edhe pse u shfaq fillimisht sfiduese ndaj sanksioneve të Amerikës, BE-së dhe disa vendeve të tjera, e vërteta është se masat ekonomike kanë pasur efekt dhe vetëm një ditë më parë u njoftua se vendi po jep shenjat e para të hyrjes në reçesion.

Top Channel