Frika e një krize të re greke mori jetë të hënën me njoftimet e zgjedhjeve të parakohshme që mund të sjellin në pushtet Syrizën, kundërshtarë të ndihmës europiane e ta vendosin Greqinë në kurs përplasjeje me huadhënësit ndërkombëtarë.

Shqetësimet e investitorëve u rikthyen pasi Parlamenti në Athinë refuzoi të nominuarin e kryeministrit Antonis Samaras për president, duke nxitur automatikisht zgjedhjet e reja që do të mbahen më 25 janar.

Zhvillimet dramatike të një dite më parë, thotë “Financial Times”, rizgjojnë pyetjen e fjetur mbi vendin e Greqisë në zonën e euros dhe kjo vetëm dy vjet pasi kriza e thellë e borxhit grek gati sa nuk e çoi unionin drejt shpërbërjes dhe tronditi nga themelet projektin europian.

Pjesa më e madhe e Eurozonës sot përballet me ngadalësimin e rritjes ekonomike, ngritjen e partive populiste anti-BE dhe pakënaqësinë e zgjeruar mbi politikat e masave shtrënguese.

Fitorja e Syrizës i tmerron investitorët për faktin se ajo ka premtuar të rinegociojë kushtet e dorëzanisë e ta kthejë pjesën më të madhe të borxhit.

Bursa e Athinës ra me gati 11%, duke prekur nivelin më të ulët të dy viteve të fundit pas këtij lajmi. Bonot 10-vjeçare greke u rritën ndërsa kostoja afatshkurtër e huamarrjes së qeverisë preku nivelin rekord 12%. Lëvizje patën edhe bonot spanjolle e portugeze.

Perspektiva e një paqëndrueshmërie politike në të gjithë zonën e euros ka bërë që të lëkunden edhe tregjet spanjolle e italiane të aksioneve.

Ngjitja e Syrizës i alarmon zyrtarët e BE-së. Në fillim të këtij muaji, Pierre Moskovici, komisioneri euripian i Ekonomisë, paralajmëroi se çdo përpjekje e Greqisë për të shlyer borxhin do të ishte një “vetëvrasje”.

Nga ana tjetër, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble kujtoi se çdo qeveri e re greke duhet “të respektojë marrëveshjet kontraktuale të paraardhësit”. “Nëse Greqia do të zgjedhë një rrugë tjetër, kjo do të jetë e vështirë”, shtoi ai.

Ironia e një fitoreje të Syrizës në zgjedhjet e ardhshme do të jetë mbi të gjitha momenti: ekonomia greke po ngrihet pas viteve të reçesionit prapë në këmbë dhe vendi mund të korrë frytet e para të flijimeve pa dyshim të mëdha që morën mbi vete njerëzit.

Këto sakrifica mund të shkojnë kot, nëse qeveria nën drejtimin e Tsipras do t’i japë fund kursit të kursimeve dhe reformave.

Top Channel