Incidenti i “Norman Atlantic”, 11 numri i viktimave

30/12/2014 00:00

Anija italiane e shpëtimit “San Giorgio”, duke lëvizur nga zona e incidentit të tragetit “Norman Atlantic” me të mbijetuarit në bord, ka rekuperuar në det edhe një tjetër kufomë.

Në këtë mënyrë ngjitet në kuotën 11 numri i viktimave të konfirmuara të incidentit të së dielës, raporton agjencia italiane e lajmeve “ANSA” në edicionin e saj online.

Sipas burimit mediatik, anija “San Giorgio” është drejtuar tashmë për në portin e Brindizit, ku pritet të zbarkojnë të mbijetuarit.

Ndërkohë, nuk kanë gjetur ende konfirmim pretendimet e palës greke kundër atyre të asaj italiane sa i takon numrit të pasagjerëve që ndodheshin në bordin e tragetit.

Për palën greke ky numër me shumë gjasa ka qenë 472 vetë, ndërsa për italianët 427 vetë. Greqia ka në zonë katër helikopterë, një avion, një frigatë dhe një motovedetë.

Ndërkohë, në Romë kanë nisur polemikat mbi mënyrën dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit. Për këtë, autoritetet italiane kanë nisur një hetim për të zbardhur jo vetëm shkaqet e zjarrit, që paraprakisht besohet se ka nisur në një kamion, por edhe përgjigjen e grupeve të shpëtimit për të gjetur nëse është gabuar diku.

Top Channel