Lufta për tragetin e tragjedisë, fitojnë italianët. Anija në Brindizi

30/12/2014 00:00

Pas mbylljes së tragjedisë njerëzore në tragetin “Norman Atlantic”, mes Italisë dhe Greqisë nisi një përplasje në lidhje me faktin se ku do shkonte trageti që ndodhej në ujërat shqiptare e që u mbyll me “fitoren” e Romës zyrtare.

Burime zyrtare thonë për Top Channel se deri në mesditë pranë anijes ndodheshin 4 anije shqiptare, 5 italiane dhe dy greke. Dy mjetet greke ishin një rimorkiator dhe një anije ushtarake.

Qeveria italiane i bëri kërkesë zyrtare Shqipërisë për të tërhequr tragetin drejt Brindizit. Kjo u konfirmua dje nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

“Unë jam informuar në rrugë diplomatike nga ambasada italiane, por edhe në rrugë të tjera ushtarake që Prokuroria e Barit ka hapur çështje dhe i ka kërkuar në mënyrë zyrtare qeverisë shqiptare që të mundësohet kthimi i anijes në bregdetin italian, në mënyrë që ata të fillojnë me investigimin e tyre”, deklaroi Kodheli.

Dy rimorkiatorët shqiptarë, “Iliria” dhe “Adriatik”, mbanin të lidhur tragetin. “Iliria” ishte kontraktuar nga pronarët e tragetit për të tërhequr objektin e braktisur, ndërkohë që zyrtarisht nga pala shqiptare ishin dërguar për ndihmë të operacionit edhe rimorkiatori “Adriatik” dhe luftanijet “Butrinti” dhe “Iliria”. Ministria e Mbrojtjes saktësoi se rimorkiatori tjetër nuk kishte lidhje zyrtare me flotën shqiptare.

E ndërsa “Iliria” mbante të kapur tragetin, prokurori i Barit, La Volpe, që ka hapur edhe hetimet e konsideroi këtë një akt në kufijtë e veprës penale, pasi anija nuk duhej prekur duke patur frikë për prishjen e provave. Dyshohet se në hangarë ka shumë viktima dhe se anija ishte përdorur edhe për trafik klandestinësh.

“Askush nuk mund të marrë në zotërim anijen pa kryer një krim i cili është i ndëshkueshëm. Këtë e them pasi jemi sinjalizuar nga marina se në vendin e ngjarjes ndodhen rimorkiatorë me qëllime që ende nuk i dimë, por që nuk duam të largojnë tragetin nga aktiviteti ynë hetimor”, deklaroi prokurori Giuseppe Volpi.

Por incidenti u zgjidh shpejt, sepse kavot e rimorkiatorit shqiptar u shkëputen duke shkaktuar edhe dy viktimat mes marinarëve shqiptarë të rimorkiatorit “Iliria”.

Prokuroria italiane kërkoi menjëherë më pas sigurimin e anijes nga rimorkiatorë italianë, ndërkohë që burimet thonë se një rimorkiator tjetër po italian, rreth 150 metra i gjatë, ishte nisur nga Brindizi në ujërat shqiptare për ta tërhequr anijen e braktisur po drejt Brindizit.

Sipas ligjeve ndërkombëtare, meqënëse incidenti ka ndodhur në ujëra ndërkombëtarë, të drejtën e marrjes së anijes dhe hetimeve e kanë autoritetet e vendit me flamurin e të cilës përfaqësohej anija. Që në këtë rast është ai italian.

Por meqënëse anija ndodhej në ujëra shqiptare, vendimi i vështirë se ku duhej të dërgohej objekti i braktisur i ka takuar palës shqiptare, e cila duket se ka vendosur që “Norman Atlantic” të ikë në Itali, megjithëse rimorkiatori “Iliria” ku ndodhi edhe aksidenti me dy marinarët shqiptarë ishte kontraktuar për të kundërtën.

Top Channel