SOS i rremë pranë Korfuzit, nga një çisternë me klandestinë

30/12/2014 00:00

Pas thuajse dy ditësh nga tragjedia me tragetin “Norman Atlantic”, një tjetër alarm SOS erdhi nga ujërat e Korfuzit. Por, këtë herë rezultoi të ishte i rremë.

Një anije mallrash, “Blue Sky”, e cila mbante 500 emigrantë të paligjshëm dërgoi një sinjal rreziku duke thënë se njerëz të armatosur ndodheshin në bordin e saj. Mirëpo pas thuajse 6 orësh, zyrtarët grekë e kanë mohuar, duke thënë se anija tani i është drejtuar brigjeve të Italisë.

Rojet bregdetare greke janë kontaktuar, duke u thënë se askush nuk është në rrezik.

Ndërkohë drejt vendmgjarjes ishin dërguar një anije dhe helikopterë ushtarak grekë, së bashku me rojet bregdetare. Më herët, disa burime të tjera në rrugë jozyrtare kishin informuar se anija “Blue Sky”, që bënte transportin e emigrantëve të paligjshëm, kishte rënë pre e një rrëmbimi.

Pritet që në orët në vijim, të vijë një deklaratë e zyrtarëve grekë për të hedhur më shumë dritë mbi çështjen e anijes “Blue Sky”.

***

Misteri mbulon çështjen e anijes “Blue Sky M”, nga e cila mesditën e së martës është kërkuar ndihmë për arsye të kushteve ekstreme të motit.

Sipas burimeve nga Ministria greke e Mbrojtjes, tashmë anija çisternë me flamur të Moldavisë ndodhet jashtë ujërave kombëtare të Greqisë dhe kjo interpretohet me faktin që organet greke nuk kanë përgjegjësinë për zhvillimin e operacioneve të shpëtimit.

Për më tepër, kapiteni i anijes që ka komunikuar me kapitenin e fregatës greke “Navarinu”, e cila ka shkuar për ndihmë, ka deklaruar se anija nuk përballon asnjë rrezik. Ndërkohë, edhe dy helikopterë ushtarakë të Forcave Ajrore greke, një  “S-70B” i Marinës ushtarake dhe një “Agusta Bell” i Aviacionit Civil, që kanë fluturuar mbi “Blue Sky M”, nuk kanë konstatuar asgjë të dyshimtë mbi kuvertën e anijes.

Burime nga Marina detare greke kanë bërë të ditur mesditën e së martës, se kanë marrë një telefonatë nga një person i panjohur në bordin e anijes, i cili ka telefonuar në numrin europian për ndihmë 112, duke deklaruar se anija – në të cilën ndodheshin qindra emigrantë të paligjshëm, – rrezikohej për shkak të motit dhe se në bordin e saj ndodheshin persona të armatosur.

Në momentin e telefonatës, “Blue Sky M” ndodhej në perëndim të Korfuzit, 3 milje nga ishulli Othonas.

Më herët, “Channel 4” ka njoftuar se anija në fjale ishte nisur nga Turqia, me destinacion Kroacinë, dhe transportonte rreth 700 klandestinë sirianë. Megjithëse “Blue Sky M” tashmë ndodhet jashtë ujërave kombëtare të Greqisë, ende pranë Korfuzit qëndron fregata greke “Navarinu”, ndërsa janë lajmëruar për zhvillimet e fundit organet përkatëse detare të BE.

Top Channel