Incidenti i ‘Norman Atlantic’, ekspertët flasin në “Pasdite”

30/12/2014 00:00

Incidenti me tragetin “Norman Atlantic” në ujërat territoriale shqiptare ka qenë në fokus të pjesës së parë të emisionit “Pasdite në Top Channel”.

I lidhur për një bisedë telefonike ka qenë marinari i portit të Durrësit, Bashkim Metaj, ndërsa i pranishëm në studion e emisionit Mynyr Bajraktari, dretor i qendrës së trajnimit të marinarëve dhe ish-kapiten i anijeve civile.

E para është zhvilluar biseda telefonike mes marinarit Bashkim Metaj, i cili i është përgjigjur pyetjeve të gazetares Kozeta Turishta.

Kozeta Turishta: Zoti Metaj, mirëmbrëma. Duke qenë se ju jeni një marinar me eksperiencë, sa njohje keni pasur me dy marinarët shqiptarë që sot humbën jetën?

Bashkim Metaj: I kam njohur dhe ndihem thellësisht i prekur nga ajo që ka ndodhur. Ata ishin marinarë të përgatitur dhe më vjen shumë keq që pësuan këtë aksident.

Kozeta Turishta: Cila është proçedura standarde e rimorkimit?

Bashkim Metaj: Mua mu duk gabim rimorkimi. Sepse proçedura është një matës në bordin e majtë, një në të djathtin dhe pasi balancohen të dy rimorkiatori nis të marrë shpejtësi, në fillim të ngadaltë, pastaj të mesme dhe më pas të shpejtë. Nëse janë këputur çimat mund të ketë nodhur nga deti i madh, por edhe nga një tërheqje e menjëhershme e rimorkiatorit.

Kozeta Turishta: Ndoshta është një pakujdesi, sa i takon anës teknike dhe sigurisë?

Bashkim Metaj: Marinarët ishin me shumë eksperiencë, por mund të ketë ndikuar era e fuqishme apo uji.

Kozeta Turishta: Me sa kavo duhet të bëhet tërheqja?

Bashkim Metaj: Janë me çima, siç i themi ne në gjuhën detare. Por edhe me kapjanë, që janë me përmasa më të mëdha se çimat. Këta ruhen nëpër depo, sepse janë të veçantë dhe më të fortë se çimat për lidhjen e anijeve.

Kozeta Turishta: Është një keqardhje nga të gjithë ne, ndoshta a mund të kishim një shmangie të kësaj situate?

Bashkim Metaj: Kushtet e natyrës, uji mund t’i kenë penguar, mund të kenë rrëshqitur në kuvertë dhe ata mund t’i ketë kapur çima. Që mund të shmangej, kjo nuk diskutohet, por mund të kenë qenë momente që marinari s’ka pasur mundësi të largohej nga vendi. Sepse kur vendosen, marinari largohet nga çimat sepse janë të rrezikshme.

Kozeta Turishta: Zoti Metaj, faleminderit.

Bashkim Metaj: Faleminderit juve.

Ndërkohë, biseda mbi këtë subjekt ka vijuar me të ftuarin në studio, Mynyr Bajraktari, drejtor i Qendrës së trajnimit të marinarëve.

Kozeta Turishta: Zoti Bajraktari, mediat britanike kanë shkruar se ky incident ka ndodhur edhe për probleme sigurie

Mynyr Bajraktari: Siguria është një fjalë e madhe. Në një anije, edhe një kamion i pakontrolluar mund të prishë sigurinë e mjetit, apo tragetit vetë. Kjo tip anije quhet “ropax” dhe është edhe për kamionë edhe për pasagjerë. Ato nuk punojnë gjithë vitin me një ritëm të kënaqshëm dhe të gjithë presin fundin e vitit që ka makina e njerëz që udhëtojnë. Në kuadër të kësaj mund të jetë bërë edhe një mbingarkesë, siç thonë dhe mediat. Sepse ky tip, “ropax”, ka një çertifikatë sigurie për pasagjerët që e jep regjistri ku është regjistruar anija. Ajo jepet në bazë të numrit të pasagjerëve që mund të mbajë trageti, marinarët e të cilëve nuk janë të trajnuar për reagime në raste të tilla. Ndërsa në anijet “cruiser”, aty të bëjnë trajnim me gjithë pasagjerët se si braktiset një anije.

Kozeta Turishta: Po thoni që kjo nuk është bërë?

Mynyr Bajraktari: Jo, sepse nuk parashikohet të bëhet. Ka pasur pasagjerë më shumë se ç’ka pasur kabina, atëherë ky është një gabim shumë i madh sepse gjatë lundrimit nuk lejohet asnjë pasagjer që të qëndrojë tek makinat. Krejt garazhi ku ngarkohen kamionët është i siguruar me “dyer zjarri”, që po të hapet jep sinjal në komandën e anijes.

Kozeta Turishta: Ndoshta duhet të ishte një organizim më i mirë?

Mynyr Bajraktari: Ka qenë një rrëmbim i situatës, nisur nga fitimi. Edhe kapiteni në të tilla raste ndjen presionin e pronarit.

Kozeta Turishta: Nëse bie zjarri në anije, cilat janë masat që duhet të merren?

Mynyr Bajraktari: Anija ka sisteme alarmi, të cilët janë për temperaturën, disa për tymin dhe të tjera për flakët. Janë vendosur aty ku janë makinat. Pra, sapo del tymi, ura e komandës e merr sinjalin. Në këtë rast është vepruar me vonesë. Edhe në rastin e “Costa Concorida” është vepruar me vonesë. Por këtu e keqja qëndron se vendi ku ka rënë zjarri, tek kamionët me vaj lubrifikant, ka qenë poshtë mjeteve të shpëtimit. Pasagjerët nuk i vret zjarri më shumë sesa tymi. Tymi është ai që i asfikson apo i helmon, ndërkohë që kanë ndikuar edhe kushtet atmosferike sepse është fikur motori.

Kozeta Turishta: Por ndërhyrja ka qenë e menjëhershme

Mynyr Bajraktari: Edhe rimorkiatorët janë përpjekur ta mbajnë tymin me fytyrë nga era, në mënyrë që të shkonte nga pjesa e mbrapme, ku nuk kishte pasagjerë. Unë dëgjova edhe versionin që një nga autobotët është fërkuar me tavanin, hekur me hekur, por kjo nuk më duket e besueshme.

Kozeta Turishta: Si një specialist, kujt mendoni se mund t’i drejtojmë gishtin sa i takon përgjegjësisë? Përgjegjësin kryesor, nëse mund të themi.

Mynyr Bajraktari: Këtu ka disa përgjegjës, janë të gjithë brenda. Edhe autoritetet që e kanë lejuar tragetin, nëse ka pasur mbingarkesë, të dilte nga porti. Edhe kapiteni nuk mund të çlirohet, por ai qëndroi deri në fund në traget. Pastaj është edhe trajnimi i marinarëve. Sot është ideja ku të gjenden marinarë më lirë. Ne këtë detyrë kemi, trajnimin e marinarëve sepse ndihemi përgjegjës. Edhe tek “Concordia”, kompania e trajnimit të marinarëve u dënua.

Kozeta Turishta: Zoti Bajraktari, faleminderit që ishit me ne.

Mynyr Bajraktari: Faleminderit juve.

Top Channel