Përcaktohen zonat për ndërtim, s’ka leje në Dajt dhe kurorën e Tiranës

30/12/2014 00:00

Këshilli Kombëtar i Territorit ka identifikuar zonat e cilësuara si “zona të urbanizuara” në të gjithë territorin e vendit, e për të cilat njësitë vendore do të mund të japin leje ndërtimi për disa kategori të caktuara objektesh.

Për të mos penguar nevojat familjare për strehim në këto kategori, KKT ka shtuar dhe lejet për banesat një familjare.

“Leje ndërtimi do të jepen për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërhyrje me karakter emergjent, për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, bujqësor e blegtoral. KKT shtoi në listën e objekteve, për të cilat mund të jepen leje ndërtimi, edhe banesat individuale njëfamiljare”, tha Adelina Greca, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Territorit.

Sipas vendimit të KKT, deri në miratimin e planeve të reja vendore, 61 njësitë e dala nga reforma territoriale do të japin leje ndërtimi brenda këtyre zonave, pas bashkërendimit me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Ndërsa për të mbrojtur nga degradimi, atë që cilësohet si kurorë e gjelbër e kryeqytetit, KKT shpalli të gjitha zonat që rrethojnë dhe lidhin kryeqytetin “zona të rëndësisë kombëtare”.

“Të gjitha periferitë e qytetit të Tiranës, përfshirë malin e Dajtit, kodrat në jug e perëndim të qytetit, përbëjnë kurorën e gjelbër të Tiranës. Masat që merren fillimisht janë parandaluese për ndërtimet e reja. Shpallja e kësaj zone si zonë e një rëndësie kombëtare, do të thotë që të gjitha vendimet për ndërtime në këtë zonë do të jepen vetëm nga KKT”, vijoi më tej Adelina Greca.

Përmes një vendimi të datës 22 gusht, KKT vendosi të bllokojë lejet e ndërtimit të dhëna nga njësitë e pushtetit vendor, me përjashtim të rasteve që i hapnin rrugë zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe industrisë së prodhimit.

Top Channel