Mediat italiane: Renzi, sponsor i integrimit të Shqipërisë

30/12/2014 00:00

Shtypi italian ka komentuar gjerësisht vizitën e kryeministrit Matteo Renzi në Tiranë, në kuadër të përfundimit të Presidencës Italiane të BE-së.

Në mediat italiane kanë gjetur pasqyrim të gjerë kryesisht deklaratat e kreut të qeverisë së Romës.

“Renzi, sponsor i integrimit europian të Shqipërisë”, ka qenë një prej titujve në portalet e vendit fqinj. “Renzi: Shqipëria është në Evropë”, ka qenë një titull tjetër.

Në media vihet në dukje se kryeministri italian foli nga Tirana për Evropën, por jo për parametrat, kufizimet apo shifrat.

“Ai e cilësoi atë vetëm një fole të shpresës dhe të së ardhmes”, thuhet në një prej artikujve të publikuara në të përditshmet online.

E ndërsa në vendin e tij kryeministri Renzi po përballet me rezistencën e sindikatave ndaj reformës në tregun e punës, homologu i tij shqiptar Rama nuk ngurroi të ftonte bizneset italiane në Shqipëri, ku sindikata nuk ka dhe ku taksat janë vetëm 15 për qind.

Shkrimet vënë në dukje marrëdhëniet e ngrohta mes dy liderëve, të cilët ka gjasa që të takohen sërish së shpejti në Romë. Kjo, pasi kryeministri italian ka në plan të organizojë një samit trepalësh italo-serbo-shqiptar.

Top Channel