Vdekja e marinarëve, nisin hetimet për shkaqet

30/12/2014 00:00

Në Portin e Vlorës, vetëm pak metra nga rimorkiatori “Iliria” ndodhej prej mesditës së të martës gazetari ynë Sokol Bregu, i cili në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve, i cili ka dhënë më shumë të dhëna mbi ngjarjen e sotme.

TCH: Sokol ke qenë në Portin e Vlorës që në mometin e parë, kur rimorkiatori “Iliria” ka hyrë në të. Çfarë ndodhi që nga ai moment e deri tani?

Sokol Bregu: Përpara se të mbërrinte rimorkiatori ynë, ka mbërritur një anije ushtarake, që solli trupat e pajetë të dy marinarëve, të cilët u transportuan më pas për në morgun e spitalit të Vlorës. Më pas erdhi dhe rimorkiatori “Iliria” bashkë me marinarët e mbetur të ekuipazhit, të cilët sapo kanë mbërritur në mol janë shoqëruar nga policia për në komisariat për t’u pyetur dhe për të dhënë dëshmitë e rastit, në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur më herët gjatë ditës, teksa po rimorkionin tragetin ‘Norman Atlantic’, që vijon të gjendet në det.
 
TCH: Kemi mësuar se kanë nisur edhe hetimet për ngjarjen. Mund të na japësh ndonjë informacion më tepër për vijimin e hetimit.

Sokol Bregu: Po, kanë nisur hetime me intensitet të lartë. Menjëherë sapo mbërriti rimorkiatori “Iliria” kanë ardhur edhe prokurorët e Rrethit të Vlorës, oficerët e Policisë Gjyqësore dhe ekspertë të tjerë, që kanë nisur me këqyrjen e anijes, e pikërisht atë litar që u këput dhe u mori jetën dy marinarëve, por edhe helikat që kanë mbledhur poshtë anijes kavot rimorkiuese. Hetimet janë komplekse por duhet thënë se janë njëkohësisht edhe tepër sekrete. Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë publike për të zbuluar se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe cilat ishin arsyet e këputjes së kavove. Ne nuk mundëm të merrnim dot asnjë dëshmi të marinarëve, për shkak se u shoqëruan menjëherë sa zbritën nga anija e u dërguan në komisariat.

TCH: Ka pasur edhe një deklaratë të kapitetin të Portit të Vlorës, Dionis Andonit. Çfarë deklaroi zoti Andoni?

Sokol Bregu: Ajo është e vetmja deklaratë publike e dhënë gjatë ditës së sotme nga ana e zyrtarëve këtu në Vlorë. Andoni vlerësoi në fakt pjesëmarrjen e dy rimorkiatorëve, duke thënë se ishin duke ndihmuar në mospasjen e një katastrofe ekologjike në detin e Vlorës, pasi “Norman Atlantic” me sa duket vazhdon të rrjedhë vaj dhe po ndot ujërat, kur dihet se gjendet vetëm 12 milje nga Vlora. Ai u tregua tepër i kujdesshëm në lidhje me deklaratat e tij mbi hetimet, duke thënë se nuk mundej të tregonte mbi to, sepse do të zbulonte më pas disa gjëra që në të ardhmen mund të mos rezultojnë të atilla siç konsiderohen me këqyrjen e parë të anijes. Por tha se të dy rimorkiatorët janë kontraktuar nga vetë firma që posedon “Norman Atlantic”, nuk janë rimorkiatorë që kanë shkuar në emër të shtetit shqiptar, por që morën pjesë në këtë operacion me kërkesë të firmës për ta mbajtur tragetin në një gjendje të palëvizshme dhe që të evitonte përplasjet, por edhe afrimin në brigjet shqiptare.

TCH: “Norman Atlantic” vazhdon të jetë në të njëjtat koordinata, apo ka lëvizur drejt Italisë?

Sokol Bregu: Kam përshtypjen që mund të ketë lëvizur drejt Italisë, sepse lajmi i fundit ishte se edhe kur u larguan dy rimorkiatorët shqiptarë, erdhën e njoftuan se trageti u nis drejt Brindizit, por nuk kemi një informacion se me çfarë shpejtësie ka lundruar ai. Dihet që është larguar përtej 12 miljeve, ku gjendej rreth mesditës së të martës. Sa i përket motit, këtu ka ngrica dhe temperatura jashtëzakonisht të ulta nën zero, ashtu sikurse dhe deti nuk është qetësuar por ka dallgë. Madje edhe Andoni e deklaroi këtë, se edhe në momentin e këputjes së kavove, që u morën jetën marinarëve shqiptarë, deti kishte dallgë që i kalonin të tri metrat.

Top Channel