Thaçi: Viti 2015, shumë i rëndë për Maqedoninë dhe shqiptarët

30/12/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pret që viti i ardhshëm të jetë shumë i rëndë për Maqedoninë dhe sidomos për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet.

“Vitin e ardhshëm pres përkeqësim të madh të situatës në Maqedoni, sidomos për shqiptarët. Thellim të mëtejshëm të krizës ekonomike për ta, për shkak se qeveritarët shqiptarë nuk arrijnë të mbrojnë veten, e lëre më të mbrojnë ekonominë e shqiptarëve apo të bëjnë investime për ta. Çështja e dytë që pres është përkeqësimi i mëtejshëm i raporteve ndëretnike. Çështja e tretë është përkeqësim apo përforcim i bllokadës drejt integrimit në NATO dhe BE”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Në fjalimin e tij të fundvitit, kreu i PDSH-së opozitare tha se situata në Maqedoni mund të përmirësohet vetëm me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Në gjithë këtë situatë pa shpresë, ekziston një shpresë e vogël se situata mund të përmirësohet. Dhe kjo shpresë e vogël e ka emrin bashkësi ndërkombëtare; SHBA-të dhe BE-ja; edhe pse nuk vërej asnjë shenjë se ata do të ndërhyjnë në Maqedoni për ta përmirësuar situatën”, tha më tej Menduh Thaçi.

Viti që po lëmë pas, sipas Thaçit ka qenë shumë i rëndë për partinë e tij, por ai është i bindur se në vitin 2015 PDSH-ja do të bëhet partia më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë.

Top Channel