Situata politike në Greqi, bursat europiane reflektojnë sërish pasiguri

30/12/2014 00:00

Ashtu siç pritej, bursat europiane edhe sot reflektuan pasigurinë e zhvillimeve politike në Greqi, ndërsa nuk munguan komentet e agjencive ekonomike ndërkombëtare për pasojat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Bloomberg”, në një artikull të orëve të fundit me titull “Shpëtoni Greqinë”, bën thirrje për një reduktim të konsiderueshëm të borxhit grek, si një zgjedhje që do të shmangte kaosin, sidomos në këtë periudhë zgjedhore.

Ndërsa sipas Reuters, niveli më i ulët i euros në 29 muajt e fundit, si pasojë e situatës politike në Greqi, tregon se tregjet shohin me shqetësim mundësinë e ardhjes së “Syriza”-s në pushtet, që ndoshta do të nxirrte Athinën jashtë programit të saj të reformave. Në të njëjtën kohë, kur BQE kërkon nga Athina vazhdimësinë e reformave, FMN thekson se ndihma financiare për Greqinë do të jepet pas zgjedhjeve dhe normalizimit të situatës politike në vend.

“Greqia do të jetë një problem i madh, veçanërisht në fillim të vitit. Çfarë do të ndodhë atje? Çfarë rezultati do të kenë zgjedhjet e parakohshme? Për më tepër, normat e interesit do të vazhdojnë të jenë një problem”, tha Oliver Poth i “Close Brothers Seydler Bank”.

Për grekët vetë një gjë është e sigurt, ata shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me më shumë dilema dhe më shumë pasiguri se dy vjet e gjysmë më parë. Ndërsa kryeministri Samaras ka takuar Presidentin Papulias, duke i kërkuar atij shpërndarjen e Parlamentit dhe përcaktimin e datës 25 janar si ditë të votimit, titujt e gazetave pasqyrojnë opinionin e disa sondazheve, sipas të cilave një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk ishin dakord me zhvillimin e zgjedhjeve.

Duke iu përgjigjur akuzave të konservatorëve, radikalët e majtë – që kryesojnë në sondazhe me të paktën 3% – premtojnë se do të lehtësojnë masat shtrënguese dhe do të sigurojnë stabilitet ekonomik dhe politik në vend.

“Syriza dhe demokracia nuk janë kërcënim as për Greqinë dhe as për Europën. Janë shpresë për një zgjidhje jetike të krizës. Vitet e fundit, Greqia u zgjodh si një kavie për masat shtrënguese. U vërtetua se ky eksperiment ishte i dështuar dhe katastrofik”, tha Aleksis Tsipras, kreu i opozitës.

Top Channel